Ministri Stavileci në panairin Agrobiznes 2010 në Shqipëri
Tiranë, 25 shtator - Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, gjatë një ceremonie ku ishte i pranishëm ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci, homologu i tij, ministri i MBUMK-së z.Genc Ruli, përfaqësues të USAID-it, si dhe personalitete të tjera nga lëmia e bujqësisë dhe ushqimit, nën organizimin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), filloi panairi Agrobiznes 2010.
Në fjalën e rastit, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, shprehu bindjen se organizimet e tilla kanë si mision mbrojtjen, nxitjen dhe promovimin e bizneseve dhe veprimtarive bujqësore dhe janë shumë të rëndësishme për jetën ekonomike të vendeve tona.
Duke shtuar më tej se, programet për mbështetjen e agrobizneseve po fokusohen gjithnjë e më shumë në rritjen e prodhimtarive dhe në futjen e teknologjive të reja për ngritjen e aftësisë konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Jemi pothuajse në procese të njëjta, si në përafrimin e legjislacionit, krijmin e politikave dhe institucioneve që kërkohen nga BE-ja, shtoi ministri Stavileci, dhe gjatë takimit që kishim me ministrin Ruli u dakorduam që ti intensifikojmë bashkëkoordiminet dhe bashkërendimet në krijimin e lehtësirave lidhur me fushëveprimet brenda kufijve tanë, si dhe në nëpërmjet shkëmbim/këmbimit të përvojave në këtë fushë ti dërgojmë proceset përpara.
Ministri Stavileci dhe homologu i tij shqiptar, ministri Ruli, para ceremonisë së hapjes së panairit Agrobiznes 2010 mbajten edhe një takim të përbashkët, me çrast diskutuan për mundësi dhe çështje të ndryshme bashkëpunimi.
Pjesëmarrja e ritualit jo vetëm politik ishte një moment i mirë për ti shikuar mundësitë që si vende motra të mos i konkurrojmë njëra-tjetrës, si dhe për të diskutuar që reciprocikisht ti luftojmë kërcënimet nga konkurrenca e fermave me kompetitive të rajonit me qëllim mbrojtjen e fermerëve tanë, tha ministri Ruli.
Ndërkaq, ministri Stavileci, shtoi se baza e bashkëpunimeve në mes vendeve tona nuk është vetëm protokollare, por në këto suaza ka edhe shumë hapësirë për të zhvilluar potencialet tona dhe thelluar bashkëpunimet edhe në projekte më të mëdha.
Tanimë kemi edhe autostraden si urë lidhëse edhe me rajonin, e cila na krijon avantazhe të mëdha veçanërisht në sfera ekonomike dhe integruese, ngase bën të mundshëm zgjerimin e tregut ekonomik të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe unifikimin e tregut dhe instalimin e një fryme më të thellë bashkëpunimi për ngritjen dhe avancimin e ekonomive të vendeve tona, përfundoi ministri Stavileci.
Pjesëmarrëse në Panairin Agrobiznes 2010 ishin mbi 100 kompani nga industria agropërpunuese dhe ushqimore dhe gjatë ditëve të panairit do të organizohen konferenca dhe takime të rëndësishme që i shërbejnë bashkëpunimit dhe promovimit të vlerave që ka sot agroindustria shqiptare në përgjithësi, si p.sh. takimi mbi standardet ushqimore që organizohet nga projekti zviceran SASA, konkursi mbi degustimin e verërave, ku do të ndahen dhe çmimet për verën më të mirë, etj.
Panairi do të jetë i hapur deri më datën 26 shtator 2010.