Ministri Rikalo premton përkrahje për vreshtarinë dhe verëtarinë
Prishtinë, 24 tetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi kanë vizituar sot Entin e Vreshtarisë dhe Verëtarisë dhe Shoqatën e Prodhuesve të Verës “Enologjia” në Rahovec, me ç’rast janë njoftuar më për së afërmi me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë.
Gjatë kësaj vizite, ministri Rikalo i ka njoftuar ata edhe me programet mbështetëse të ministrisë për vitin e ardhshëm, ku ka treguar se sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë do të gjejë mbështetjen e ministrisë, si përmes granteve inevstive ashtu edhe përmes subvencioneve.
Duke parë rëndësinë e këtij sektori, ministri tha se MBPZHR-ja në vazhdimësi e do të investojë në këtë sektor, me qëllim të përmirësimit të strukturës varietore, duke ndikuar kështu në stimulimin e eksportit drejt tregjeve të huaja.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Entit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë dhe ata të Shoqatës “Enologjia” kanë falënderuar ministrin për vizitën dhe treguan se mbështetja e ministrisë viteve të fundit ka ndikuar në rritjen cilësisë, përmirësimin e teknologjisë së prodhimit dhe kushteve tjera të punës.
Po ashtu, ministri Rikalo dhe sekretari Halimi kanë vizituar edhe bodrumet e verës “Stone Castle” dhe “Haxhijaha”, ku kanë parë për së afërmi punën e prodhimit dhe përpunimit të verës në këto bodrume.