Ministri Rikalo premton përkrahje për kultivuesit e mjedrës
Prishtinë, 20 korrik - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e qendrave grumbulluese të mjedrës në Kosovë, si dhe kryetarin e Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka.
Në këtë takim, ministri i ka njoftuar ata me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, veçanërisht në sektorin e prodhimit të mjedrës, si dhe me programet mbështetëse të ministrisë për vitin 2018, si dhe me mundësitë që ofrojnë këto programe për prodhuesit e mjedrës në vend.
Ministri Rikalo, i ka njoftuar ata edhe për nismën e përbashkët të MBPZHR-së me USAID-in për programin “Përkrahje e zhvillimit bujqësor dhe rural në Kosovë”, e cila tashmë është aprovuar edhe nga Qeveria e Kosovës.
Nga ky projekt i përbashkët, që kap vlerën prej 3.8 milionë euro, sipas ministrit do të përfitojnë sektorët me eksportin më të madh në bujqësi, sektori i pemëve të imëta dhe i bimëve mjekësore aromatike.
Ai ka treguar se qendrat grumbulluese do të përkrahen në vazhdimësi nga MBPZHR-ja, me qëllim të shtimit të kapaciteteve të tyre prodhuese dhe ruajtëse.
Po ashtu, gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për mundësinë e përkrahjes së shitjes së mjedrave nga ministria me 0.20 cent, në mënyrë që fermerët të tejkalojnë këtë krizë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare të mjedrës.
Gjithashtu është biseduar për problemet me të cilat ballafaqohen fermerët e mjedrës në baza ditore dhe janë pajtuar që shoqata në bashkëpunim me MBPZHR-në të koordinojnë aktivitetet që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë sektor me rëndësi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qendrave grumbulluese dhe kryetari i Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka, falënderuan ministrin për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe shprehën përkushtimin e tyre për mbështetjen e prodhuesve vendorë, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të tyre.
Ata prezantuan edhe sfidat nëpër të cilat po kalojnë, dhe theksuan se do të bashkëpunojmë me institucionet që këto sfida të tejkalohen.