31 Mars 2023

Ministri Peci viziton fermerët e Podujevës të cilët pësuan dëme nga breshëri

Prishtinë, 22 qershor - Pas stuhisë e cila preku disa rajone të vendit tonë gjatë ditës së djeshme, e cila ishte e shoqëruar edhe me shira dhe breshër, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i shoqëruar me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vizituan fshatrat Lupq i Poshtëm, Lubq i Epërm, Popovë dhe Majancë, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në fermat e bujqve të kësaj ane.

Me këtë rast, Ministri Peci i njoftoi fermerët të cilët pësuan dëme në kulturat bujqësore për procedurat rreth kompensimit të dëmeve, si dhe mënyrën e përpilimit të raportit nga terreni.

“Të gjithë bujqit të cilët kanë pësuar dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore, siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat duhet të drejtohen në Drejtorinë Komunale për Bujqësi dhe të raportojnë për to, pasi secila komunë mbledh të dhëna dhe evidenton për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ato raporte pastaj i sjellin në Ministrinë e Bujqësisë për procedim të mëtejmë”, sqaroi me këtë rast Ministri Peci.

Njëkohësisht, Ministri Faton Peci bëri apel për të gjitha komunat të cilat pësuan nga fatkeqësitë natyrore duke kërkuar nga ta që procesi i vlerësimit të dëmeve të jetë sa më objektiv dhe real, për të evituar kështu çdo vonesë të mundshme në procedim të pagesave nga MBPZhR-ja, duke pasur parasysh se në MBPZhR secili raport do t’i nënshtrohet procesit të verifikimit nga Komisioni i cili e bënë pranimin dhe shqyrtimin e raporteve të cilat i pranojmë nga Drejtoritë Komunale për Bujqësi.


Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023

- Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, mbanë konferencë për media. (MAShTI, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së,  ora 12:30)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)