Ministri Peci raportojë në Komisionin për Menaxhim të Financave Publike
Prishtinë, 22 qershor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ishte i ftuar që gjatë ditës së sotme të raportojë në Komisionin Parlamentar për Menaxhim të Financave Publike dhe me këtë rast ai pati rastin që të shpalosë para anëtarëve të këtij Komisioni të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit, si dhe të paraqes Planin e Veprimit në lidhje me raportin e fundit për Sistemet Elektronike për Menaxhimin e Granteve dhe Subvencioneve në AZHB dhe MBPZHR.
Po ashtu, Ministri Faton Peci raportoi për gjendjen aktuale financiare në të cilat ndodhet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke sqaruar kështu sfidat dhe obligimet të cilat janë krijuar nga qeveria e kaluar me krijimin e obligimeve nga Programi i Rregullt dhe Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike për Pagesa Direkte /Subvencione, në vlerë prej 30 milionë euro, obligim financiar që ky paraqet vështirësi në zbatimin e mëtutjeshëm të politikave dhe programit për bujqësi dhe zhvillim rural.
Me këtë rast, Ministri Peci i njoftoi anëtarët e komisionit me hapat të cilat i ka ndërmarrë nga dita e pranimit të detyrës së tij si Ministër i MBPZhR-së, duke shtuar se ndër priotitetet mbetet transparenca, avancimi i legjislacionit, si dhe krijimi i politikave të duhura zhvillimore të këtij dikasteri tejet të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.