Ministri Peci mori pjesë në Panairin e 60-të Ndërkombëtar në Slloveni
Lubljanë, 20 gusht - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit
Rural, Faton Peci ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Panairit
të 60-të Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit – AGRA 2022, i cili
është duke u mbajtur në Gornja Radgona të Sllovenisë dhe ku pjesëmarrës
ishte edhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
Gjatë kësaj ceremonie, Ministri Peci krahas takimeve të shumta me homologë të vendeve të rajonit, me ftesë të homologut maqedonas, Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupco Nikollovski, ka vizituar stendën e prodhimeve maqedonase, me ç’rast u zhvillua një prezantim i produkteve të këtij shteti.
“Gjatë kësaj vizite, theksova se pjesëmarrja institucionale dhe e agro-bizneseve në panaire të tilla është mundësi e mirë për krijimin e partneriteteve të reja me agrobiznese të vendeve të ndryshme të rajonit e më gjerë dhe theksova se mundësinë e pjesëmarrjes në këtë panair vitin tjetër do ta kenë edhe prodhuesit kosovarë”, theksoi Ministri Peci.
Në anën tjetër, gjatë ditës Ministri Peci zhvilloi edhe një takim me homologun slloven, ku u dakorduan që ta rrisin bashkëpunimin me shtetin slloven në fushën e bujqësisë, duke krijuar ura lidhëse mes institucioneve të të dyja shteteve dhe agro-bizneseve.
“Ne kemi avancuar agjendën legjislative duke miratuar një sërë ligjesh jetike për sektorin e bujqësisë të cilat do të mundësojnë rritjen e mëtutjeshme të cilësisë së prodhimeve vendore, në mënyrë që prodhimet tona, akoma edhe më shumë të jenë prezente në tregun e Bashkimit Evropian”, tha Ministri Peci, duke shtuar se Kosova ka shembuj të shumtë suksesi ku prodhimet vendore kosovare zënë vend në raftet e dyqaneve evropiane më me renome.
Ndryshe, Panairi Ndërkombëtar i Bujqësisë dhe Ushqimit (AGRA), i cili organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit e Sllovenisë, do të jetë i hapur deri më 25 gusht 2022.