25 Dhjetor 2024

Ministri Krasniqi kërkon mbështetje për bujqësinë nga KfW

Frankfurt 9 korrik - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi po merr pjesë në Forumin për Financa Zhvillimore në Frankfurt, organizuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

Në këtë forum, që po organizohet për herë të parë, po marrim pjesë përfaqësues nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare të fushës së ekonomisë.

Ministri Krasniqi ka takuar me këtë rast, drejtues të Bankës Gjermane për Zhvillim, që vepron edhe në Kosovë, Markush Aschendorf, Udhëheqës  i Divizionit te Sektorit Financiar për Evropën Juglindore e Turqi dhe  Christian Garve, Menaxher i Projekteve te Sektorit Financiar  në Kosovë. 

KfW është banka kryesore e Gjermanisë për zhvillim. Misioni i saj është që të ndihmojë Qeverinë Federale në implementimin e synimeve të saj në bashkëpunimin ndërkombëtar me shtetet në zhvillim dhe ato në nevojë.

Në Kosovë, KfW është duke ofruar mbështetje në sektorë të ndryshëm dhe tash ka interesim edhe për bujqësi.

Në këtë drejtim, ministri Krasniqi ka biseduar me përfaqësuesit e kësaj banke, për mundësitë e bashkëpunimit për realizim të projekteve të ndryshme zhvillimore për bujqësinë. Ministri ka prezantuar të arriturat e deritanishme në bujqësi dhe sfidat që janë në këtë sektor.

Ai shtoi se Kosova e ka në prioritet bujqësinë si një nga fushat më të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe punësim.

“Këtë vit ne po ndajmë 43 milionë euro për fermerët, që do të ndihmojë në rritjen e prodhimit dhe konkurrushmerisë së kompanive përpunuese”, tha ministri Krasniqi.

Ai deklaroi se po ashtu me këtë mbështetje, që është krahas asaj që e japin edhe donatorët në Kosovë, do të krijohen mijëra vende të reja të punës. Ministri shtoi se Kosova eksporton tashmë në Evropë dhe shumë vende të tjera të botës, por ka ende shumë nevojë që ky eksport të rritet.

Ai falënderoi KfW për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës deri më tani dhe shfaqi interesim për të gjetur mundësi të bashkëinvestimeve në bujqësinë kosovare.

Ndërkaq, Markush Aschendorf, Udhëheqës i Divizionit te Sektorit Financiar për Evropën Juglindore e Turqi tha se bujqësia është padyshim sektor me potencial për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Ai theksoi gatishmërinë e KFW-së që të bashkëpunojë me Qeverinë për të ndihmuar avancimin e mëtejmë dhe për të adresuar sfidat ekzistuese në bujqësi.

Ministri Krasniqi dhe Aschendorf kanë shkëmbyer ide për projekte potenciale ku mund të ketë bashkëpunim në të ardhmen e afërt.
 
Bujqësia është një nga fushat e rëndësishme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe këtë e dëshmon fakti që bujqësia zuri vend te rëndësishem edhe në diskutimet ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe Kancelares gjermane, Anglea Merkel gjatë vizitës së para disa ditëve, me ç\'rast pala gjermane shprehu interesimin për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin e mëtejmë të sektorit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)