Ministri Krasniqi fton biznesmenë gjermanë të investojnë në bujqësi
Prishtinë, 13 tetor - Bujqësia në Kosovë ka potencial të madh dhe vendi ynë mund të jetë një mundësi për investime edhe për më shumë biznese nga Gjermania.
Kështu ju tha sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi përfaqësues të disa bizneseve nga Gjermania, të cilët po qëndrojnë në Kosovë.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Kryetari i Unionit të Bizneseve të Diasporës në Berlin, Mustafë Abazi.
Ai i njoftoi ata me gjendjen e bujqësisë në Kosovë, të arriturat dhe sfidat si dhe investimet që janë bërë deri më tani dhe që planifikohet të bëhen.
Bujqësia, tha ai, është prioritet qeveritar dhe për investitorë të jashtëm janë rritur mundësitë, aq më tepër tash me miratimin e Ligjit për investime strategjike.
Ministri i informoi ata edhe për politikat zhvillimore të ministrisë dhe ndikimin që ato kanë pasur në zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi dhe avancimin e bujqësisë si sektor me mjaft potencial.
Pemët dhe perimet, si në prodhim ashtu edhe në përpunim, janë sektorët ku ka përparësi krahasuese më shumë vende dhe një interesim në rritje tek fermerët.
Ministri kërkoi nga bizneset gjermane që të shqyrtojnë mundësitë për lidhje të bashkëpunimi me agrobizneset nga Kosova.
Nga ana tjetër bizneset gjermane u interesuan për nënsektorët e ndryshëm të bujqësisë, mundësitë dhe potencialet dhe shprehen gatishmërinë që të bashkëpunojnë me fermerë dhe agrobiznese nga Kosova.
Ata u interesuan edhe për kushtet që ofron shteti i Kosovës për investitorë nga jashtë.