Mijëra hektarë tokë bujqësore është hedhur në privatizim
Prishtinë, 12 maj - Mijëra hektarë tokë bujqësore e ndërmarrjeve shoqërore në vend është hedhur në shitje në valën e 57 dhe 58 të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Pronat e nxjerra në shitje janë pjesë e ndërmarrjeve të mëdha në vend, por të cilat gjatë procesit të privatizimit në vend janë ndarë në disa pjesë për tu shitur sa më lehtë që është e mundur.
Në këtë valë të privatizimit e cila është shpallur me 25 prill dhe do të mbyllet më 25 maj AKP-ja ka nxjerrë në shitje dhjetëra toka bujqësore, por edhe ndërmarrje tjera që gjenden në veri të vendit.
Në këtë valë AKP-ja ka nxjerrë 56 hektarë tokë vreshta joaktive në fshatin Randobravë, sipërfaqe e mjaftueshme tokësore me kushte klimatike të përshtatshme për prodhimin e rrushit.
Po ashtu, në këtë valë të privatizimit AKP-ja ka nxjerrë në shitje edhe qindra hektarë tokë të ndërmarrjes Ratar e cila gjendet në zonën kadastrale Llapllasellë komuna e Graqanicës.
Në Ndërmarrjen e Re Ratar Llapllasellë I, përfshihen 63 hektarë tokë bujqësore, në Ndërmarrjen e Re Ratar Llapllasellë II, gjenden rreth 42 hektarë tokë bujqësore dhe në gjenden 55 hektarë tokë bujqësore. Po ashtu, në këto dy valë të privatizimit AKP-ja ka nxjerrë në shitje edhe 74 hektarë tokë në fshatin Binxhë, komuna e Klinës.
Në shitje po ashtu janë hedhur edhe 7 hektarë tokë bujqësore në fshatin Siqevë të Klinës, 7 hektarë në fshatin Dobresh, komuna e Vitisë, 11 ari në fshatin Muhoc komuna e Ferizajt.
Në këto dy valë të privatizimit AKP-ja po ashtu ka nxjerrë në shitje edhe 119 hektarë tokë në fshatin që shtrihet ne Zonat Kadastrale Poterq i Poshtëm dhe Poterq i Epërm në komunën Klinë.
Investitorët e mundshëm po ashtu nëpërmes këtyre dy valëve të privatizimit do ta kenë mundësinë që të blejnë dhe 108 hektarë tokë që gjendet në zonat kadastrale Kusar/Kodra Hutit, Skivjan, Osek Hile dhe Rracaj në Komunën Gjakovë.
Po ashtu, AKP-ja në valët e fundit ka nxjerrë në shitje edhe prona tjera të ndërmarrjes Ratar që gjenden në fshatin Sushicë, komuna e Graqanicës.
Në ndërmarrjen e parë gjenden 24 hektarë. Ndërkaq në ndërmarrjen tjetër Ratar Shushicë II, gjenden hiç më pak se 98 hektarë tokë bujqësore.
Zyrtarë të AKP-së po shpresojnë se në dy valët e fundit do të kenë numër të madh të ofertueseve, pasi që sipas tyre investitorët e huaj dhe ata vendorë kanë treguar interesim të vazhdueshëm për blerjen e tokave.
Shkelzen Lluka, drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit thotë se pjesa më e madhe e tokave që janë nxjerrë në shitje për momentin iu janë dhënë me qira personave të ndryshëm, por sipas tij ka edhe toka që nuk punohen fare, por edhe disa nga to janë të uzurpuara nga persona të ndryshëm. Sipas tij, në valët e mëhershme të privatizimit interesimi i investitorëve për të investuar në toka bujqësore ka qenë shumë i madh.
Deri më tash janë privatizuar mijëra hektarë tokë, pronë e ndërmarrjeve shoqërore, tha Lluka për Zëri.