Mielli serb që shitet nga Devolli rezikon shëndetin e 5 milionë shqiptarëve
Prishtinë, 1 mars - Analistë të ekonomisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të kësaj fushe kanë shfaqur frikën se mielli i importuar nga Serbia me qindramijëra tonë, të cilin e sjell kompania e Shkëlqim Devollit \'M Sillosi\' në Kosovë e Shqipëri po i rrezikon qytetarët dhe bizneset konkurrente.
Analistët thonë se \"Devollët\" kanë kapur gati gjysmën e tregut shqiptar, ndërkaq në Kosovë mbi 80 për qind të tregut. Ndërsa, sipas industrialistëve nga Shqipëria, ky miell nuk e plotëson as standardin minimal për proteinat (12-13 për qind), të cilit i mungon jodi dhe hekuri i detyruar.
Sipas tyre, kjo sasi e miellit po futet edhe kontrabandë, ndërsa ka manovra për shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë.
Prodhuesit e miellit nga Shqipëria japin alarmin se mielli serb po bën kërdinë në treg dhe po cenon rëndë shëndetin e sigurinë e konsumatorëve të 5 milionë shqiptarëve.
Ata thonë se pushteti në Tiranë e Prishtinë po e favorizon kompaninë e Shkëlqim Devollit, për shkak të interesave klanore të inkriminuara, korruptive dhe të nëntokës kriminale, për t\'i dëmtuar e bllokuar qëllimisht prodhuesit vendorë në të dy anët e kufirit.
Gazeta është përpjekur që të marrë opinionet se çfarë dinë për këtë problematikë, AKI-ja dhe Prokuroria e Shtetit, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Gazeta po ashtu ua ka dërguar pyetjet \'M- Silosit\' dhe \'Devolli Corporation\', por nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Produktet e dyshimta dominojnë tregun
Analisti Florim Zeqa tha se pavarësisht hyrjes së produkteve ushqimore serbe në Kosovë dhe Shqipëri, përmes rrugëve legale dhe ilegale, ato janë të kontrolluara nga pushtetarët, të cilat tashmë kanë mbuluar tregun shqiptar.
\"Prodhimet serbe aktualisht mbulojnë rreth 80 për qind të tregut kosovar, përderisa në Shqipëri e mbulojnë afërsisht gjysmën e tregut\", tha ai.
\"Produktet e dyshimta serbe, duke filluar nga mielli, i cili nuk i plotëson as standardet minimale për proteinat (12-13%), të cilit i mungon jodi dhe hekuri i detyruar, futet si kontrabandë, nuk kontrollohet fare as nga doganat me qëllim të shmangies së taksave, e të mos flasim për rrugët \'dytë- sore\', përmes të cilave futet gjithçka në territorin e shteteve tona\", potencoi Zeqa.
Sipas tij, prodhuesit shqiptarë të miellit japin alarmin se mielli serb po cenon rëndë shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.
\"Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri janë duke u favorizuar kompanitë e inkriminuara, të lidhura me pushtetarët dhe nëntokën kriminale, duke i dëmtuar dhe bllokuar qëllimisht prodhuesit vendorë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, për të favorizuar prodhimet serbe dhe kompanitë e inkriminuara, duke rrezikuar shëndetin e gjithë qytetarëve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri\", potencoi më tutje ai.
Mielli jocilësor i importit
Analisti Dardan Grapci tha se mielli i kontrabanduar apo i sjellë ilegalisht në Kosovë nga Serbia, përmes kompanisë \"M-Sillosi\", jo vetëm që nuk ka jod dhe hekur, por nuk është as afër me preferencat që duhet të quhet miell.
\"Sa i përket Shqipërisë me të drejtë kanë dhënë alarm për ndërprerjen e importimit në Shqipëri të këtij mielli, sepse ata e kanë vetë fabrikën e miellit dhe grurin më vital në rajon, kështu që mielli atje është më i shëndetshëm dhe është bio-natyral\", tha ai. Analisti Grapci thotë se nuk ka asgjë kundër kompanisë \"M-Sillosi\".
\"Shtrohet pyetja nga unë, përse nuk i punësojnë qytetarët e Kosovës, duke e ditur që toka në Kosovë është shumë pjellore dhe ka shumë minerale që gruri të rritet i shëndetshëm, duke e ditur që kemi fermerë, që me të vërtetë dinë si të prodhohet mielli, si të rritet gruri nëpër ara ose brenda serrave dimërore\", thotë ai.
Institucionet të marrin masa emergjente
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma), tha se të gjitha produktet dhe tregtia që bëhet me Serbinë pa marrë parasysh se në cilën fushë ajo bëhet në gjëra ushqimore apo diç tjetër, duhet t\'u nënshtrohen masave kontrolluese, sepse mund të paraqesin rrezik për shëndetin publik.
\"Andaj, duhet bërë përpjekje maksimale që t\'i ndalojmë këto allishverishe dhe manipulime të kujtdo-qofshin ato, pasi që mallra pa kurrfarë kriteri po futen në Kosovë. Ndaj konsideroj se përpjekja e industrialistëve të Shqipërisë është e rëndësishme dhe një tregues se Qeveria jonë e në veçanti AUVK-u duhet t\'i shtrëngojnë masat e tyre dhe të jenë në krye të detyrës\", theksoi Hoti.
\"Ne kemi parë aferën me grurin e kafshëve dhe stoqet e mishit me afat të skaduar dhe të gjitha këto po i konsumon qytetari i Kosovës dhe i Shqipërisë. Ndaj kjo ka një efekt shumëdimensional si në aspektin e xhepit familjar, ashtu edhe në rrezikimin e individit, familjes e shëndetit të popullatës. Ndaj mendoj se ne duhet t\'i fuqizojmë raportet e shkëmbimit tregtar edhe më shumë me Shqipërinë në aspektin e këmbimeve tregtare dhe t\'i heqim të gjitha barrierat e mundshme\", u shpreh ai.
Sipas Hotit, detyrë e Qeverisë sonë është që përmes institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa urgjente për t\'i parandaluar këto dëme.
Disa biznese shohin vetëm përfitimet personale
Edhe deputeti tjetër opozitar i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Berisha (AAK), tha se disa nga biznesmenët tanë gjithçka e shohin përmes përfitimeve të tyre personale e materiale e shumë pak i kushtojnë cilësisë dhe kualitetit se çka po futet në Kosovë.
\"Shteti i Kosovës duhet që të mbrojnë qytetarët e vet dhe në këtë drejtim duhet të marrë masa shtesë ndaj cilë- sisë së miellit dhe ushqimit që po importohet, por edhe masa dhe dënime ndaj të gjithë atyre që në Kosovë po sjellin artikuj dhe ushqim që nuk janë në përputhje me standardet e BEsë\", ka thënë ai.
Deputeti Berisha tha se duhet ngritur edhe vetëdijen se duhet bërë biznes me shtetet që i kemi mike e jo me Serbinë, kur nuk dihet se çfarë po blejmë e në të njëjtën kohë pasojat i shohim pas disa viteve.
\"Fajtorë për të gjitha këto që po bëhen janë nga zbrazëtirat e mosfunksionimit të institucioneve dhe instrumenteve shtetërore, që janë kompetente. Por, fajtorë janë edhe këto biznese që duan të përfitojnë në mënyrë të paligjshme dhe të njëjtët i shfrytëzojnë këto lëshime të pushtetarëve tanë që po bëhen nëpër institucione si në AUVK, Dogana etj.\", ka theksuar Berisha.
\"Në plan të parë të bizneseve janë përfitimet personale e në asnjë mënyrë shëndeti i qytetarëve tanë\", potencoi më tej ai.
Konsumatori në rrezik
Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (\'Konsumatori\'), tha se sa për miellin e grurit nga viti 2009 kanë reaguar e alarmuar.
\"Deri më tani askush nuk ka reaguar, as prokuroritë kompetente. Përgjegjësia e parë bie mbi institucionet e shtetit. Sepse Republika e Kosovës për ç\'gjë kemi reaguar e kërkuar me dhjetëra herë, e ka pasur për obligim që me të gjitha shtetet, me të cilat ka raporte tregtare, e në veçanti me Serbinë, të nënshkruajë Kontratë Bilaterale të Tregtisë. E dyta nga përgjegjësia është MF-ja, ATK-ja ose Dogana. Është e palejueshme, e patolerueshme që kushdo qoftë, qofshin edhe krerët më të mëdhenj, të ndikojnë te Dogana e Kosovës, siç ka ndodhur shumë here\", tha ai. Sipas tij, natyrisht se e gjithë infrastruktura e cilësisë, edhe ajo e koncentruar te MTI, edhe në MSH, edhe MBPZHR, kanë përgjegjësi, sepse nuk kanë reaguar siç duhet.
\"Posaçërisht është përgjegjës Drejtoria, Zyra dhe Këshilli i mbrojtjes së konsumatorit pranë MTI-së, edhe për arsye se, me ose pa dëshirë, me ose pa presion, është bërë i dëgjueshëm dhe jo mjaft i efektshëm\", potencoi Kaçaniku.
/Kosova Sot/