Menaxhimi i Pyjeve deri me tash nuk ka qenë i mirë
Prishtinë, 24 qershor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci mori pjesë në ngjarjen në të cilën objektivi kryesor ishte Takimi për Rishikimin e Përbashkët të Sektorit të Pylltarisë në Kosovë që ka për qëllim bashkimin e të gjithw akterëve të ndryshëm dhe partnerëve për të shqyrtuar e analizuar gjendjen aktuale të pyjeve dhe sektorit të pylltarisë.
Ky takim po mbahet në kuadër të zbatimit të programit “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”.
Programi ka për qëllim që të rrisë kontributin e sektorit pyjor në ekonominë kombëtare përmes menaxhimit gjithëpërfshirës dhe shumëqëllimor të pyjeve, i cili fuqizohet në përputhje me rregullat përkatëse dhe mbështetet me zinxhirë vlerash të përgjegjshëm gjinorë dhe klimatik për zbutjen e varfërisë.
Ministri Faton Peci theksoi se sektori i pylltarisë duhet të shikohet si një pjesë integrale e shoqërisë, përmes aspekteve ekonomike, mjedisore, sociale dhe kulturore. Politikat dhe strategjitë pyjore janë komponent e politikave të përgjithshme shtetërore për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
Andaj sipas Ministrit Faton Peci, “Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson lartë rëndësinë e sektorit pyjor, ndërsa vlerësojmë se gjendja aktuale dhe mënyra e menaxhimit të deritanishëm nuk ka qenë mënyra më e mirë e trajtimit të natyrës, palëve të interesit, rrjedhimisht dhe ekonomisë së vendit."
"Prandaj ne si Qeveri e re jemi përkushtuar të evitojmë lëshimet dhe parregullsitë e deritanishme, të parandalojmë dëmtimin e pyjeve duke avancuar legjislacionin dhe hartuar politika të përshtatshme, duke marrë për bazë dhe praktika më të mira të vendeve mike që kanë ndihmuar këtë sektor”.
Në këtë takim, të pranishëm ishin Ambasadorja e Suedisë, Karin Hernmarck Ahliny, Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Kosovë, Ulrika Richardson, ekspertë të FAO-s, përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare që po zbatojnë projekte në fushën e pylltarisë, Shoqata Kombëtare e Pronarëve të Pyjeve Private dhe Shoqata e Përpunuesve të Drurit, etj.
Vlenë të theksohet se ky takim është dy ditor dhe në të do të ketë prezantime dhe diskutimet në tema të ndryshme që kanë të bëjnë gjendjen aktuale të sektorit të pylltarisë në Kosovë, si dhe çështje tjera për të identifikuar mundësitë dhe sfidat në shfrytëzimin e funksioneve ekonomike sociale dhe mjedisore të pyjeve përmes menaxhimit shumëqëllimor të pyjeve.