Memorandum për subvencionimin e fermerëve të Mitrovicës veriore
Prishtinë, 7 maj - Në lokalet e MBPZHR sot është nënshkruar një Memorandum tripalësh Mirëkuptimi ndërmjet ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Blerand Stavileci, të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, z. Avni Kastrati dhe me Koordinatorin e Zyrës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për Veriun e Mitrovicës z. Ylber Hysa.
Me këtë Memorandum është paraparë subvencionimi i fermerëve nga pjesa veriore e Mitrovicës për 100 hektarë tokë për mbjelljet pranverore me misër. Shuma e mjeteve financiare me të cilën Ministria do ta mbështes Komunën e Mitrovicës do të jetë 28,000.00 , kurse fermerët do të përfitojnë nga 280,00 për hektar.
Me këtë memorandum është paraparë mbështetja direkte për mbjellje pranverore (misër) për fermerë të fshatrave të pjesës veriore të Komunës së Mitrovicës si: Suhodoll, Kroi i Vitakut, Gushavc, Vinarc dhe Vidimriç.
Kjo është mbështetja e parë që Qeveria e Republikës së Kosovës respektivisht MBPZHR u ofron bujqve në anën veriore të Mitrovicës.