MEF: S'ka kufizime apo ndalesa për eksportimin e rrushit
Prishtinë, 16 shtator - Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka ndjekur me shqetësim protestat e vreshtarëve të Komunës së Rahovecit dhe shqetësimet e ngritura nga ana e tyre.
Një ndër shqetësimet e ngritura që është përmendur nga ana e protestuesve, është edhe çështja e eksportimit të rrushit në tregjet regjionale, me theks të veçante në tregun e Republikës së Shqipërisë.
"Përmes kontakteve të rregullta Ministria e Ekonomisë dhe Financave është siguruar se nuk ekziston asnjë kufizim apo ndalesë për eksportimin e rrushit në Shqipëri apo në vendet tjera, përfshirë vendet e Unionit Evropian", thuhet në komunikaten e MEF-it.
Prodhuesit dhe tregtaret kosovar sipas MEF-it mund të realizojnë eksportet e tyre në Shqipëri dhe vendet tjera, kuptohet gjithmonë duke zbatuar dhe respektuar rregullat e parapara për eksport gjegjësisht importet në vendet ku synohet të eksportohen.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave përmes Doganës së Kosovës, është e gatshme të ndihmoj jo vetëm në dhënien e këshillave, por edhe në lehtësimin e eksportit drejt tregjeve regjionale e më gjerë.