24 Dhjetor 2024

Me rritjen e buxhetit, bujqësia ka marrë vëmendjen e Qeverisë

Prishtinë, 14 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  mori pjesë në konferencën për bujqësi të qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në konferencë Kryeministri, pasi përgëzoi për organizimin e konferencës, të cilën e  vlerësoi si mundësi të mirë për të analizuar vitin që po e lëmë pas dhe planifikuar vitin që vjen, ka theksuar se bujqësia është e rëndësishme dhe meriton vëmendje të madhe.

“Është lajm i mirë, që bujqësia ka marrë vëmendjen e Qeverisë së Kosovës dhe kjo vërtetohet me rritjen e buxhetit nga viti në vit”, tha kryeministri, duke falënderuar edhe partnerët, si Komisionin Evropian, USAID-in.

Kryeministri tha se Qeveria do t’i kushtojë vëmendje këtij sektori dhe vitin që vjen do të punojë për një zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë, duke vlerësuar lartë resurset edhe të pylltarisë së Kosovës.

“Është e rëndësishme që përkrahja, grantet dhe subvencionet të mbërrijnë te ata që i meritojnë, te ata që ju takojnë. Në të kaluarën kanë ndodhë edhe keqpërdorime në ndarjen e granteve dhe subvencioneve."

"Grantet dhe subvencionet janë paratë e taksapaguesve, donatorëve dhe ato duhet të shkojnë te ata që i meritojnë”, tha kryeministri, duke theksuar se s’do të lejohet që kjo gjendje të shkojë në pakufi me gabime dhe lëshime.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk e ka të lehtë hapjen e vendeve të punës.

“Vendet e punës vijnë si kërkesa nga tregu, andaj të konsumohen prodhimet vendore, ngaqë kjo shpie te stimulimi i prodhuesve vendorë dhe kështu edhe deri te hapja e vendeve të punës”, tha kryeministri.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, ka prezantuar arritjet e deritashme në zhvillimin e bujqësisë dhe ka prezantuar prioritetet në të ardhmen, në të cilat do të fokusohet Ministria.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të BE-së dhe USAID-it, të cilët njëkohësisht janë edhe donatorët kryesor në sektorin e bujqësisë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)