25 Dhjetor 2024

Me punë arrihen suksese

Hani i Elezit, 20 korrik - Fermeri Naser Laçi me serën e tij të vogël në fshatin Laç të Komunës së Hanit të Elezit po i mahnitë banorët e kësaj ane.

Laçi në një bisedë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se ndjehet mirë kur sheh që bimët e mbjella në serën e tij po rriten në kushte më të mira. Sipas tij, vetëm me punë arrihen suksese.

“Është mrekulli kur vazhdimisht punon dhe në të njëjtën kohë sheh se si shkon puna, si zhvillohet bima. Kënaqësia më e madhe është kur konsumatori vjen në serë dhe e sheh punën që e ke bërë”, ka theksuar ai.

Edhe pse sivjet është viti i parë që merret me këtë veprimtari, ai është shprehur i kënaqur nga inkurajimi që vazhdimisht po ia japin vizitorët e shumtë nga vise të ndryshme të Kosovës. “Nga kjo serë ne si familje kemi përfituar”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se sivjet tregu ka qenë i mbushur me prodhime bujqësore të importuara. Sipas tij, vërehet një vetëdijesim i konsumatorëve për konsumim të produktit vendor. “Produktet e importuara janë të pasigurta për shkak të dyshimit se përdoren tepër pesticide. Prodhimet masive zakonisht paraqesin komercializëm dhe kualiteti i tyre është i dorës së dytë”, ka thënë ai.


Fermeri Laçi ka bërë me dije se këtë vit ai në fermën e tij ka mbjellë domate të dy llojeve “Amati F1” dhe “Belle F1”.

“Mbjellja është bërë më 1 prill. Që domatja të plasohet në treg duhen 75 deri në 90 ditë. Për shkak të motit të keq, rreth dy javë jemi mbrapa. Megjithatë, mirë është duke shkuar shitja”, ka thënë ai.

Laçi ka theksuar se në këtë kohë kur Kosova dhe populli i saj janë në vështirësi të mëdha, ai po mundohet të sjellë në treg produkte me çmime më të volitshme, nga të cilat siguron të ardhura për familjen. “Këtë vit i kemi pasur rreth 1 500 fidanë: 750 ‘Belle’ dhe 750 ‘Amati’”, ka thënë ai.

Laçi ka shtuar se të rinjtë është mirë ta shohin mundësinë të merren me këtë veprimtari.

“Është pak vështirë për t’i siguruar investimet, megjithatë shumica e kolegëve të mi kanë filluar më pak dhe kanë shkuar duke u rritur. Tani edhe ata kanë arritur në kapacitete të mjaftueshme, duke siguruar të ardhura të mjaftueshme për familjet e tyre, njëkohësisht duke punësuar njerëz. Së paku tre persona që i njoh unë me mjete vetjake i kanë ndërtuar nga një ari serë. Kanë filluar së pari të krijojnë produkte të mira dhe të sigurta për familjet e tyre, pastaj edhe për treg me pakicë”, ka thënë ai.

Laçi është shprehur se deri më tani nga MBPZHR-ja nuk ka pasur mbështetje dhe ndonjë vizitë, kurse Komuna e Hanit të Elezit është e interesuar për punën e tij.

“Komuna na ka ndihmuar dhe vazhdimisht e asiston donatorin ‘LAB’-i me infrastrukturë logjistike, duke i siguruar kushte të mira për monitorim”, ka thënë ai. Sipas tij, Komuna e ka lëshuar një pronë dhe donatori e ka ndërtuar një minidepo, e cila është e dedikuar për fermerët e prodhuesit që ta shesin prodhimin aty.

“Ne e falënderojmë shumë kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Sumën, i cili vazhdimisht na viziton”, ka thënë ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)