25 Dhjetor 2024

Me mbështetjen e MBPZhR-së zhvillohet edhe sektori i mishit

Pejë, 9 nëntor–  Përmes granteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Komisionit Evropian, shumë agrobiznese vendore kanë arritur të zgjerojnë kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese e bashkë me këtë ato po arrijnë të instalojnë teknologjitë e reja përpunuese.

Instalimin e kësaj teknologjie përmes investimeve të MBPZhR-së dhe KE-së, së fundmi e ka bërë edhe fabrika për përpunimin e mishit “Buquku”, në fshatin Cigë të komunës së Pejës, e cila përmes investimeve të bëra ka ndikuar edhe në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve të mishit në këtë fabrikë.

Në promovimin e këtyre pajisjeve, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se investimet e tilla po rrisin edhe konkurrueshmërinë e produkteve kosovare në rajon e më gjerë dhe sipas tij investimet në këtë sektor strategjik do të rriten në vazhdimësi, ku vetëm sivjet ai tregoi se kanë ndarë rreth 4 milionë euro në prodhim dhe përpunim të mishit
”Fokusi ynë duhet të jetë që të arrijmë të zëvendësojmë importin, duke sjellë produkte tona cilësore. Dhe për këtë mbështetja jonë nuk do të mungojë. Unë ju përgëzoj juve që keni punuar gjatë dhe kujdesshëm në arritjen e standardeve të cilësisë. Gjithashtu ju inkurajoj që të vazhdoni me zgjerimin e produkteve të përpunuara, sepse vërtetë tek ne ka nevojë që të kemi zgjedhje dhe shumëllojshmëri të produkteve. Kur kemi një gjë të tillë, atëherë edhe konsumatori do të ju kërkojë”, tha ministri Krasniqi. 

Ai po ashtu theksoi se bujqësia është sektor shumë i rëndësishëm për zhvillim ekonomik.  “Vetëm këtë vit ne kemi ndarë 43 milionë euro për grante dhe subvencione dhe tashmë janë garantuar se hapen 2500 vende të reja pune që është domethënëse për neve. Kjo qasje e jona, në rritjen dhe zgjerimin e mbështetjes do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm dhe vitet e tjera”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se  investimet e tilla për ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e agrobizneseve kosovare. “Bashkëpunimi mes MBPZhR-së dhe KE-së dhe vet kompanisë tregon për një rezultat të jashtëzakonshëm dhe është një tregues se sektori i mishit është njëri nga sektorët më me potencial në vend dhe ka nevojë për investime në rritjen e prodhimit primar dhe përpunimit në mënyrë që të zëvendësohet importi dhe në këtë mënyrë të zhvillohen agrobizneset dhe të gjenerohen vende të reja pune”, ka thënë Stock.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se për këtë komunë sektori i bujqësisë është mjaft i rëndësishëm dhe sipas tij me zhvillimin e fabrikave të tyre përfiton i tërë qyteti si dhe krejt Kosova.

Ndryshe, kompania për përpunimin e mishit ”Buquku”, në Cigë të komunës së Pejës, për instalimin e makinerive për rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e gamës së produkteve, është mbështetur në shumën prej 200 mijë euro nga MBPZHR-ja, si dhe një pjesë tjetër nga KE-ja.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)