Me kultivimin e mjedrës do të merren edhe 47 fermerë të rinj
Prishtinë, 31 korrik - Me kultivimin e mjedrës do të merren edhe 47 fermerë të rinj në komunën e Shtërpcës, të cilët kanë përfituar grante investive nga programi për Ndërmarrës të Rinj të USAID-it.
Këto grante ju kanë mundësuar këtyre fermerëve që ti realizojnë idetë e tyre në agrobiznes dhe ti shtojnë sipërfaqet e mbjella me prodhimtarinë e mjedrës.
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për këta fermerë të rinj, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavielci, tha se nënsektori i pemëve të imëta duke përfshirë mjedrën, manaferrën dhe dredhëzën, viteve të fundit po shënon një ekspansion në tërë territorin e Kosovës dhe gjithnjë e më shumë po rritet edhe numri i fermerëve që i kultivojnë këto kultura bujqësore.
Në këtë formë, me grante të tilla dhe me përkrahjen e Qeverisë dhe donatorëve të tjerë, mund të ngrihen edhe më shumë aftësitë sipërmarrëse të fermerëve të Shtërpcës dhe komunave të tjera të vendit tonë. Ne si ministri kemi krijuar edhe programet tona mbështetëse për kulturat e pemëve të imëta, në veçanti për manaferrën e mjedrën dhe sivjet do të ketë përfitues edhe më shumë, në këtë komunë dhe në të gjitha komunat tjera, tha ministri Stavileci.
Ndërsa, drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, tha se përmes këtyre granteve investive, 47 fermerëve të rinj ju ka mundësuar kultivimi i mjedrës në sipërfaqe të reja, të cilat do të ndikojnë në shtimin e prodhimtarisë së kësaj kulture bujqësore.
Kjo mbështetje do tju mundësojë 47 përfituesve të granteve të blejnë edhe pajisje, fidanë dhe materiale të tjera të nevojshme për zgjerimin dhe kultivimin e mjedrave. Vlera e përgjithshme e mbështetjes së programit të USAID-ut për këta fermerë arrin shumën prej rreth 93 mijë dollarë, tha drejtoresha Shauket.
Prodhimtaria e mjedrës në komunën e Shtërpcës, sipas kryetarit të kësaj komune, Bratislav Nikolic, është mjaft e lartë dhe kjo është njëra nga veprimtaritë kryesore, sipas tij, më të cilën merren banorët e kësaj ane.
Ai tha se viteve të kaluara është arritur një rekord i prodhimit të mjedrës, ndërsa sipërfaqe të mbjella me kulturën e mjedrës në këtë komunë janë rreth 30 hektarë.
Ndërkaq, njëri nga përfituesit e këtyre granteve, Ivan Velkovic, tha se përmes këtij programi ka arritur të realizojë idenë e tij për të bërë agrobiznes, të cilën do ta zhvillojë dhe zgjerojë edhe më shumë në të ardhmen.
Vlera e përgjithshme e këtyre granteve investive arrin shumën prej 73 mijë e 600 euro dhe 47 fermerët përfitues përmes kësaj përkrahje kanë shtuar edhe 7 hektarë të rinj me këtë kulturë bujqësore.
Ndërsa, përfitues të granteve dhe subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në komunën e Shtërpcës janë gjithsej 94 fermerë dhe vlerë e përkrahjes arrin në rreth 66 mijë euro.