MBPZHR ndan mbi 200 mijë euro për 39 vreshtarë
Prishtinë, 18 qershor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka nënshkruar kontrata për ndarjen e granteve investive për mbështetjen e 39 projekteve të vreshtarëve në vlerë prej 209,537 euro.
Përmes këtyre granteve investive, synohet rritja e sipërfaqeve me vreshta të reja dhe modernizimi i infrastrukturës përcjellëse në këtë sektor.
Tridhjetë e nëntë vreshtarët përfitues, që sot i nënshkruan këto kontrata, do të financohen në shkallë prej 65 për qind nga Ministria e Bujqësisë.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se me këtë sektor po fillojnë edhe realizimin e programit mbështetës të këtij viti.
Vreshtaria është njëri prej sektorëve, për të cilin viteve të fundit jemi munduar të japim përkrahjen maksimale brenda mundësive tonë. E duke ditur rëndësinë e këtij sektori dhe problemet më të cilat është ballafaquar, krahas këtyre granteve investive, pjesë e programit janë edhe subvencionimi i sipërfaqeve ekzistuese të vreshtave me nga 200 euro për një hektar dhe subvencionimi i stoqeve të verës, tha ministri Stavileci.
Përmes rritjes së mbështetjes për vreshtarinë dhe verëtarinë, ministri Stavileci tha se synojnë që dalëngadalë tu japin fund edhe problemeve, të cilat i kanë përcjellë viteve të fundit vreshtarët.
Në anën tjetër, Hysen Canziba, njëri nga përfituesit e këtyre granteve, theksoi se kjo përkrahje është e domosdoshme në këtë sektor, pasi sipas tij, në këtë mënyrë atyre po iu lehtësohet edhe zgjerimi i veprimtarive të tyre bujqësore.
Edhe pse nevojat në këtë sektor janë të mëdha, këto mjete dhe ato që pritet të ndahen në ditët e ardhshme, do të jenë një lehtësim i madh për punën e shumë vreshtarëve dhe verëtarëve, tha vreshtari Canziba.
Ndryshe, Kosova ka kushte agroklimatike shumë të përshtatshme për zhvillimin e sektorit të vreshtarisë dhe deri më tani, Ministria e Bujqësisë, ka përkrahur gjithsej 585 projekte të vreshtarëve për ngritjen e plantacioneve të reja dhe rregullimin e atyre ekzistuese, që shprehur në hektarë ka përkrahur gjithsej ngritjen e 374 hektarëve të rinj me vreshta.