MBPZHR mbështet projektet bujqësore të Lipjanit
Prishtinë, 27 maj - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në sektorin e bujqësisë, si dhe për programet zhvillimore të ministrisë.
Në këtë drejtim, ministri e njoftoi kryetarin më hollësisht për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015 dhe për skemat e reja të mbështetjes, përmes të cilave ai tha se kanë zgjeruar mbështetjen për shumë sektor të bujqësisë.
Ministri Krasniqi, theksoi se në programet e këtij viti do të gjejnë mbështetje të madhe edhe fermerët e komunës së Lipjanit, të cilët janë të dalluar në shumë sektor të bujqësisë e blegtorisë.
Ministri Krasniqi ka konfirmuar gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin me këtë komunë, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë në këtë rajon.
Nga ana e tij, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, e falënderoi ministrin për mbështetjen që MBPZHR-ja ka dhënë në vazhdimësi për komunën e Lipjanit, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë.
Kryetari Ahmeti e njoftoi ministrin edhe për sfidat dhe të arriturat në këtë sektor dhe me këtë rast shprehi përkushtimin e tij për të realizuar projekte zhvillimore në këtë sektor.