MBPZHR mbështet krijimin e treguesit gjeografik për djathin e Sharrit
Prishtinë, 7 shkurt - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, do të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetjen dhe mbrojtjen e produkteve blegtorale, me qëllim që t’i bëjë ato edhe më konkurrente në tregu e huaj.
Kështu është shprehur zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi gjatë një takimi që zhvilloi sot me zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi dhe ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Pronësisë Intelektuale, Isa Dukaj, ku temë diskutimi ishte koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta për përmbylljen e projektit për ndërtimin e një treguesi gjeografik për djathin e Sharrit.
Me këtë rast, zëvendësministri Krasniqi, ka njoftuar se tashmë edhe infrastruktura ligjore dhe teknike është kompletuar për treguesin gjeografik të djathit të Sharrit. Të dy zëvendësministrat u pajtuan që shumë shpejt të formojnë edhe grupet punuese në të dy ministritë për bashkërendimin e aktiviteteve të radhës.
“Ndërtimi i një treguesi gjeografik për djathin e Sharrit, i cili është një produkt më rëndësi të veçantë, do të krijojë mundësinë për rritjen e konkurrencës dhe promovimin e produkteve bujqësore në tregun e huaj”, tha zëvendësministri Krasniqi.
Po ashtu, ai tha se MBPZHR-ja do të vazhdojë investimet ne rritjen e prodhimit dhe cilësisë së produkteve të qumështit, në mënyrë që ato të arrijnë të zëvendësojnë shumë produkte që importohen, por edhe të jenë konkurrente në tregun ndërkombëtar.
Ndryshe, në ditët në vazhdim do të formohen edhe grupet punuese për procedurat e radhës për krijimin e treguesit gjeografik të djathit të Sharrit.