MBPZHR harton një program për zonat rurale
Prishtinë, 23 maj - Për zonat rurale më pak të zhvilluara, në të cilat investimet janë të domosdoshme, Ministria e Bujqësisë sivjet ka hartuar një program të veçantë mbështetës.
Banorët e këtyre zonave, tashmë kanë filluar të aplikojnë në këtë program dhe njëri nga këta banorë është edhe blegtori, Muhamet Azemi, i cili pret mbështetjen e ministrisë për ndërtimin e një ferme të lopëve qumështore.
Gjatë vizitës, që ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, i bëri këtij blegtori, ku edhe shpalosi programin e veçantë për zonat e thella rurale të komunës së Prishtinës, Mitrovicës dhe Prizrenit, tha se përmes këtij programi do ti përkrahin prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit dhe mishit të lopëve, deleve dhe dhive me 1 milion euro, si dhe grumbulluesit dhe përpunuesit e produkteve malore jodrunore me 500 mijë euro.
Krahas programit kombëtar që kjo ministri ka për bujqësinë, ai tha se përmes këtij programi të veçantë kanë dashur që banorëve të këtyre zonave tju japin edhe një mundësi shtesë për të përfituar, pasi kanë resurse dhe potencial më të pashfrytëzuar dhe ju mungojnë investimet adekuate.
Në kuadër të programit tonë të veçantë për këto zona, ne do ta mbështesim edhe sektorin e blegtorisë, i cili ka nevojë që të zhvillohet shumë në këto anë, ku edhe pjesa më e madhe e popullsisë në këto zona jeton nga kjo veprimtari.\"
\"Ky program është një mundësi e mirë për shumë fermerë të këtyre zonave, prandaj i ftojmë të gjithë për të aplikuar, pasi që ata mund të përfitojnë mbështetje në masën prej 75 për qind nga fondet publike për projektet e tyre, tha ministri Stavileci.
Në anën tjetër, blegtori Muhamet Azemi, nga fshati Dabishec i komunës së Prishtinës, thotë se po e pret mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë për ndërtimin e një ferme për 22 lopët e tij qumështore.
E kam pasur fermën të ndërtuar qysh në vitin 1978, por tash ajo më nuk është funksionale, prandaj edhe kam aplikuar në këtë program të ministrisë, për të ndërtuar një fermë blegtorale, thotë blegtori Azemi.
Ai tregoi se pa përkrahjen e ministrisë, të cilën e ka marrë viteve të fundit përmes subvencioneve, do të ishte e pamundur edhe operimi i tij në këtë sektor.
Ndryshe, kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme nga Ministria e Bujqësisë, arrin në 15 mijë euro në nënmasën e blegtorisë. Ndërsa, për grumbulluesit dhe përpunuesit e frutave të malit, kërpudhave dhe bimëve aromatike dhe mjekësore, kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme arrin deri në 100 mijë euro.