MBPZHR e interesuar të rritet cilësia e materialit fidanor për pemë
Prishtinë, 28 prill - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar sot drejtuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Materialit Fidanor për pemë drufrutore dhe pemë të imta, PlantKosova, me të cilët ka biseduar mundësitë e zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori.
Ministri Krasniqi i informoi ata se MBPZHR-ja do të vazhdojë të subvencionojë prodhuesit e materialit fidanor, por edhe të gjejë mundësi të ndryshme të bashkëpunimit në mënyrë që ata si prodhues të mos dëmtohen dhe po ashtu edhe kultivuesit e pemëve drufrutore dhe pemëve të imëta të kenë mundësi për furnizim me fidane cilësore.
Me theks të veçantë, drejtuesit e shoqatës shfaqen shqetësime se nga individë të ndryshëm po kontrabandohet materiali fidanor i dëmshëm dhe i pasigurt, e që kryesisht raportohet se vjen nga Serbia.
Ministri dhe drejtuesit e kësaj shoqate vlerësuan se duhet një angazhim më i madh edhe i institucioneve tjera që të ndihmojnë në ndalimin dhe parandalimin e kësaj dukurie, dhe për këtë do të kërkohet mbështetje nga institucionet kompetente.
Ministri Krasniqi kërkoi nga drejtuesit e shoqatës që bashkë edhe me departamentet përkatëse në MBPZhR të punojnë në gjetjen e një modeli të përshtatshëm të certifikimit të materialit fidanor të prodhuar në Kosovë, pra që të jetë plotësisht i sigurt dhe konform standardeve ndërkombëtare.
Ministri tha se MBPZhR-ja është e interesuar që këta prodhues të fuqizohen, por dhe anasjelltas kultivuesit e këtyre pemëve të kenë material fidanor vendor por, që është edhe cilësor sipas standardeve të kërkuara.