MBPZHR dhe USAID me projekte të përbashkëta milionëshe për bujqësinë
Prishtinë, 5 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe USAID në Kosovë kanë pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm në sektorin e bujqësisë, e që ka sjellë rezultate konkrete dhe ndihmë të drejtëpërdrejtë me fermerët.
E ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen në projekte të reja. Për të diskutuar për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit, Ministri Memli Krasniqi ka takuar sor drejtorin e USAID për Kosovë, James Hope.
Ministri Krasniqi e uroi z.Hope për detyrën dhe e njoftoi atë me programin e ministrisë për zhvillim rural. Ai tha se ky program në vazhdimësi ka sjellë rezultate dhe falë investimeve në bujqësi është siguruar rritje ekonomike në vend, vende të reja pune dhe rritje të prodhimit vendor.
Ministri Krasniqi foli për prioritetet për këtë mandat, duke theksuar se rritja e prodhimit, përmes shtimit të sipërfaqeve të punuara të tokës, rritjes së cilësisë si dhe rritjen e transparencës dhe efikasitetit në implementimin e programeve janë nder prioritetet kryesore.
Ai vlerësoi lartë projektin e USAID, Mundësitë e Reja në Bujqësi (NOA), që ofroi ekspertizë dhe mbështetje financiare për fermerët, në përmirësimin e kushteve të punës, në menaxhimin e fermave dhe kultivimin e kulturave të reja bujqësore.
Ky projekt, tha ministri, ka sjellë rezultate mjaftë konkrete. Sipas tij, bashkëpunimi mes MBZHR-së dhe USAID është shembull për projekte konkrete dhe që kanë sjellë përparim të ndjeshëm të Kosovës.
Është lajm shumë i mirë që USAID do të vazhdojë të ndihmojë bujqësinë, përmes projektit të ri, AGRO, i cili po ashtu do të fokusohet në dhënien e granteve për fermerët, asistencë teknike dhe në zhvillimin e teknologjisë të nevojshme për sektorin e bujqësisë, tha ministri Krasniqi.
Projekti AGRO pritet të lansohet këto ditë, dhe vlera e përgjithshme e tij është 11.8 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, drejtori i USAID, James Hope vlerësoi angazhimin e ministrisë në mbështetje të fermerëve dhe çmoi shumë bashkëpunimin që kanë si dy institucione.
Hope tha se mbështetja e USAID do të vazhdojë dhe projekti i ri AGRO do të jetë në përputhje me programin e ministrisë.
Ministri Krasniqi dhe drejtori Hope u dakorduan që të mbajnë kontakte të vazhdueshme për të shikuar mundësitë e realizimit të përbashkët të disa projekteve, që janë në kuadër të prioriteteve të ministrisë.