24 Dhjetor 2024

MBPZhR dhe TIKA me projekte të përbashkëta bujqësore

Prishtinë, 30 janar – Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim të mirë në shumë fusha dhe ky partneritet mund të thellohet edhe me shumë në fushën e bujqësisë, në mënyrë që të ketë mbështetje direkte edhe më të madhe për fermerët ekzistues, por edhe për ata që dëshirojnë të merren me veprimtari bujqësore.

Për këtë sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar koordinatorin e Agjencisë Turke për Rindërtim dhe Zhvillim – TIKA, Eyup Umutlu.

Ministri Krasniqi e falënderoi atë për mbështetjen që TIKA i ka dhënë shumë projekteve në Kosovë, në sektorë të ndryshëm. Ai e informoi Umutlu për prioritetet e ministrisë për këtë mandat, duke theksuar se do të ketë një mbështetje më të madhe dhe direkte për fermerët e në veçanti për projekte zhvillimore dhe që gjenerojnë vende të reja të punës. Në këtë drejtim ai shprehi interesimin që bashkë me TIKA-n të diskutojnë për projekte të ndryshme. Ai shtoi se në fushën e bujqësisë Kosova mund të mësojë shumë nga Turqia, në veçanti në prodhim dhe përpunim.

Nga ana e tij, koordinatori Eyup Umutlu ka falënderuar ministrin për bashkëpunimin e ofruar në të kaluarën dhe për qasjen mjaft konkrete në bashkëpunim. Ai tha se TIKA është shumë e interesuar që të rrisë mbështetjen në bujqësi, qoftë në përkrahje direkte për fermerët, apo edhe në aspekte që lidhen me ngritjen e kapaciteteve dhe edukimit.

Ministri Krasniqi dhe koordinatori Umutlu u pajtuan që të kenë kontakte në vazhdimësi, për të parë mundësitë e bashkëpunimit në projekte konkrete.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)