MBPZHR dhe Drini i Bardhë bashkë në përmirësimin e sistemit të ujitjes
Prishtinë, 12 shkurt - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të kompetencave ligjore që ka do të ofrojë mbështetjen për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Drini i Bardhë.
Këtë e tha sot ministri Memli Krasniqi gjatë një takimi që pati me drejtuesit e kësaj kompanie.
Ata e njoftuan ministrin Krasniqi me sfidat që po përballen si kompani, por njëkohësisht edhe falënderuan ministrinë për mbështetjen që ka dhënë në përmirësimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore në Kosovë.
Një prej sfidave kryesore që kjo kompani ka është shlyerja e obligimeve nga ana e qytetarëve, por në veçanti fermerëve.
Ministri Krasniqi theksoi se ujitja është një prej segmenteve kryesore për zhvillimin e bujqësisë dhe shtoi se po punohet shumë që të ketë sa më shpejtë një zgjidhje të përgjithshme për ujitjen e tokave bujqësore.
Ministri shtoi se do të përpiqet që të ndihmojë kompaninë, gjithnjë në bazë të kompetencave legale që ka ministria, për shlyerjen e obligimeve që kanë fermerët që furnizohen nga kjo kompani.