MBPZHR dhe BB dakordohen për projektet strategjike për bujqësi
Prishtinë, 28 tetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, priti sot në takim Massimiliano Paolucci, përfaqësuesin e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut së bashku me ekipin e tij.
Gjatë takimit, Ministri Faton Peci e njoftoi Paolucci për ecurinë e proceseve brenda Ministrisë, për objektivat dhe këndvështrimin e tij karshi hartimit të politikave bujqësore në zhvillim të sektorit.
Nga ana tjetër i shprehu atij vullnetin e plotë për bashkëpunim me institucione e organizata ndërkombëtare, drejt krijimit të partneriteteve, të cilat prodhojnë politika të qëndrueshme zhvillimore.
Nga ana tjetër, Paolucci e falënderoi Ministrin Faton Peci për bashkëpunim të ndërsjelltë me Bankën Botërore dhe projektet që kjo e fundit i implementon, duke e siguruar se përkrahja e këtij institucioni nuk do mungojë karshi projekteve me rëndësi të veçantë për avancimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë.
Ndërkaq, Ministri Peci dhe Paolucci u dakorduan për angazhimin e ndërsjelltë në projekte strategjike për bujqësi dhe zhvillim rural me qëllim të avancimit të këtij sektori përmes investimeve në sisteme të ujitjes, si dhe mbarëvajtjen e programeve, të cilat prioritet kanë zhvillimin e kapaciteteve të prodhuesve e përpunuesve vendorë.
--