Mbjellën fidane në shënimin e Ditën Ndërkombëtare të Tokës
Prishtinë, 22 prill - Sikurse në gjithë botën, edhe tek ne sot u organizuan manifestime të ndryshme për 22 prillin, Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Shënimi i kësaj dite filloi me një manifestim në amfiteatrin e Qeverisë në Prishtinë, i cili u mbajt nën organizimin e MMPH-së, MBPZHR-së dhe MASHT-it dhe vazhdoj më tej edhe në komunën e Obiliqit.
Kjo komunë ishte njëra prej nikoqireve më të mëdha në këtë festë dhe në organizimin e përbashkët të Kosovo United States Alumni KUSA dhe MBPZHR-së, u organizua edhe një manifestim tjetër, me çrast mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidentja Jahjaga tha se qytetari duhet të jetë në qendër të mbrojtjes së ambientit.
Dua të shfrytëzoj këtë ngjarje për të rikujtuar dhe ritheksuar se qytetari duhet të jetë në qendër të mbrojtjes së ambientit dhe se ai duhet të jetë pikë referimi në çfarëdo përpjekjeje në këtë fushë.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, përfaqësuesit e MBPZHR-së, MMPH-së, etj.
Në fund të manifestimit u bë edhe mbjellja e 30 fidanëve, të cilat ishin donacion i MBPZHR-së, si dhe pastrimi i oborrit të komunës së Obiliqit.