Mbi 360.000 lule do të mbillen sivjet në Komunën e Prishtinës
Prishtinë, 1 prill - Ndërmarrja publike Hortikultura, bashkë me Kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, si dhe vullnetarë tjerë nga shkollat e Prishtinës, sot filluan aksionin për mbjelljen e luleve në parkun e qytetit.
Këtë vit, do të mbillen mbi 360.000 lule në Komunën e Prishtinës, që është më shumë së dyfishi i sasisë së mbjellë në vitin e kaluar. Lulet që do të mbillen janë prodhime vendore, të kultivuara nga vetë ndërmarrja publike Hortikultura.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se tani do të fillojmë punët edhe në rifreskimin e hapësirave të gjelbra nëpër lagje të qytetit, duke filluar nga lagjet Dardania e Ulpiana.
Komuna e Prishtinës është e angazhuar që, përveç se ti rifreskojë hapësirat e gjelbra ekzistuese, edhe ti shtojë ato, duke i liruar pjesët që tashmë janë betonuar, si dhe duke mbjellë në pjesët tjera që janë mbuluar nga balta.