Mbi 26 milionë euro për përkrahjen e bujqësisë
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 14 shkurt - Fermerët e Kosovës në vitin 2013 kanë përfituar miliona euro në formë të subvencioneve, të cilat i ka ndarë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).
Zëdhënësi i MBPZHR-së, Adil Behramaj, ka deklaruar se gjatë vitit 2013 në këtë ministri kanë aplikuar 30,264 fermerë për përfitimin e subvencioneve mirëpo, sipas tij, 24,732 fermerë janë përfitues të subvencioneve në vlerë prej 26,738,926 eurosh. 24,154 fermerë kanë qenë përfitues të subvencioneve në vlerë prej 12,151,162 eurosh. Këto ditë po procedohet për pagesë edhe lista e fundit për 58 shpezëtarë në vlerë prej 240,304 eurosh, e cila ka mbetur pa u paguar te subvencionet.
Ndërsa te grandet inventive kemi pasur 578 përfitues në vlerë prej 14,587,764 eurosh, ka thënë Behramaj. Ai ka deklaruar se pagesat e subvencioneve pritet që gjatë këtyre ditëve të dalin në xhirollogaritë e të gjithë atyre që kanë aplikuar.
Në proces të ekzekutimit pas alokimit të buxhetit janë edhe 8,434,880 euro, të cilat nuk kemi mundur ti ekzekutojmë gjatë vitit të kaluar për shkak të problemit të Bankës Botërore (BB) dhe Ministrisë së Financave (MF) për pjesën e mjeteve, të cilat është dashur të investohen nga kredia afatgjatë që kemi marrë për bujqësinë nga Banka Botërore, ka thënë ai.
Zëdhënësi Behramaj ka deklaruar se procesi që nga aplikimi i fermerëve deri te realizimi i investimit është mjaft kompleks.
Ndodh që shpeshherë fermerët të tërhiqen nga investimet dhe neve nganjëherë mund të na ndodhë që në muajin nëntor tia konfirmojmë përkrahjen fermerit tjetër, i cili investimin e realizon pastaj gjatë vitit tjetër dhe këto procedura nuk përfundojnë asnjëherë brenda një viti kalendarik. Pra, duhet kuptuar këto procedura, para se të nxirren përfundime edhe nga ana e fermerëve, është shprehur Behramaj.
Ndërkaq Ibadete Gashi nga Suhareka, e cila është përfituese e subvencioneve nga MBPZHR-ja dhe e ka të mbjellë mbi një hektar pemë, ka deklaruar se shuma e ofruar nga Ministria e Bujqësisë është një ndihmë, e cila kontribuon në zhvillimin e pemëtarisë.
Për një hektar e 10 ari që i kam mbjellë me molla, 65 për qind e investimeve i kemi marrë subvencione nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa 35 për qind të shumës monetare i kam investuar vetë, ka thënë ajo.