Mbështetet Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë
Prishtinë, 2 mars - Në takimin që u mbajt sot në selinë e MBPZHR, e ku ishin të ftuar përfaqësuesit e Ambasadave në Prishtinë, si Svere Johan Kvale Ambasador i Norvegjisë në Kosovë, Tarja Fernandez Charge aAffaries u.d. Shefe e Zyrës, Ambasada e Finlandës ; Kaisa Rouvinen shefe e Çështjeve Zhvillimore nga Ambasada e Finlandës, Anders Ohrstrom drejtor i SIDA-s në Kosovë, Iva Stamenova nga Komisoni Evropian dhe Nedzad Ajanovic FAO Budapest etj., u debatua rreth Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë në Kosovë (2010-2020).
Strategjia është hartuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe në të është bërë përcaktimi i politikave dhe strategjive që do të qeverisin zhvillimin e ardhshëm të sektorit pyjor në Kosovë.
Në vërejtjet hyrëse që i dha Idriz Vehapi, Ministër në MBPZHR, ndër të tjera u tha se ky dokument strategjik tashmë është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe do të jetë udhërrëfyes për të gjitha vendimet e mëdha që janë të lidhura me zhvillimin e Sektorit Pyjor në 10 vitet e ardhshme.
Synim i kësaj strategjie është ngritja e kontributit të sektorit të pylltarisë në ekonominë kombëtare, përmes shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve pyjore, duke e marrë parasysh rolin shumëfunksional të pyjeve. Hartimi i Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë në Kosovë 2010 2020 është bërë nga një grup punues ndërministor i cili është mbështetur dhe financuar nga SIDA dhe është zbatuar nga FAO.
Ministri Vehapi ka falënderuar të gjithë aktorët që kanë kontribuar në hartimin e strategjisë dhe ka shtuar tutje se Strategjia është konsistente me legjislacionin ekzistues për pyjet dhe është kompatibile me dokumente tjera vendore dhe ndërkombëtare që kanë ndikim në zhvillimin e sektorit pyjor. Në këtë aspekt me rëndësi të veçantë janë Plani për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor i Kosovës 2009 - 2013 dhe strategjitë e BE-së së bashku me Planet e tyre të Veprimit për zhvillimin e sektorit pyjor.
Strategjia rekomandon që të krijohet Bordi Menaxhues në kuadër të Zyrës së Kryeministrit i cili do të ketë përgjegjësi për mbikëqyrjen e zbatimit të saj. Me këtë rast bëjmë me dije se Kuvendi i Kosovës me datën 25 shkurt 2010 ka miratuar amandamentimin e ligjit aktual për pyje në të cilin është dhënë mundësia për fillimin e procesit të decentralizimit të pyjeve. MBPZHR beson se Qeveria e Kosovës së bashku me donatorët, të cilët kanë shpreh interesim për të ndihmuar sektorin pyjor, do të sigurojnë mjete për arritjen e objektivave të strategjisë për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, zhvillim i cili është i nevojshëm për shoqërinë, mjedisin dhe shtetin e Kosovës, ka thënë në fund z. Idriz Vehapi, ministër i Mnistrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Duke u angazhuar në diskutim, ambasadori i Norvegjisë z. Svere Johan Kvale, pasi ka potencuar nevojën se duhet të shënohen të arritura në fushën e pylltarisë në harmoni me Strategjinë e saj për periudhën 2010-2020 , ai ka ritheksuar kërkesën që MBPZHR të mbështetet akoma më shumë nga të gjithë faktorët relevantë, në mënyrë që të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e donacioneve edhe në periudhën vijuese.