Mbështetet sektori i produkteve jodrusore të malit
Prishtinë, 23 janar Krahas shumë sektorëve tjerë, Ministria e Bujqësisë sivjet do të përkrah edhe sektorin e produkteve jodrusore të malit.
Me qëllim të shtimit të prodhimtarisë dhe vlerës së këtyre prodhimeve, kjo ministri ka ndarë një fond prej 500 mijë eurosh, përmes të cilit do ti mbështesë kultivuesit dhe përpunuesit e bimëve aromatike e mjekësore.
E përfitues të kësaj mbështetje do të jenë fermerët e kategorisë së parë të këtij sektori, ku hyjnë grumbulluesit, të cilët produktet i marrin drejtpërdrejtë nga vjelësit dhe ata të kategorisë së dytë, ku hyjnë grumbulluesit qendror, që kanë kontrata me përfituesit e kategorisë së parë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se aktualisht sektori i prodhimeve jodrusore të malit, ku futen frutat, kërpudhat dhe bimët aromatike e mjekësore përbëhet nga vjelësit e këtyre prodhimeve në terren, nga mbledhësit që i marrin këto prodhime prej vjelësve dhe nga grumbulluesit kryesor, që këto prodhime i përpunojnë dhe kryesisht i eksportojnë.
Duke i parë kapacitetet e mëdha eksportuese të këtij sektori dhe përfshirjen e mbi 3 mijë familjeve në zona rurale në këto veprimtari, ai thotë se sivjet kanë vendosur ta përkrahin për herë të parë edhe këtë sektor.
Investimet në këtë fazë zhvillimore të sektorit i kemi orientuar kryesisht në shmangien e humbjeve të frutave që prishen në nivelin e mbledhësve lokal dhe përmes investimeve në tharëse, në frigoriferë, në pajisje të teknologjisë së lartë për përpunimin e frutave pyjore në nivelin e grumbulluesve qendror, synojmë ta konsolidojmë më mirë këtë sektor me potencial të madh eksportues dhe me treg të siguruar perëndimor, thotë zëdhënësi Behramaj.
Ai tregoi se në kategorinë e parë, përfituesit do të mbështeten në blerjen e tharësve, frigoriferëve, në makina për pastrim, për prerje, në gjeneratorë elektrikë, etj.
Ndërsa, sipas tij, në kategorinë e dytë mbështetja është e orientuar më shumë në blerjen e makinave për klasifikim, tharje, ftohje, ngrirje, qërim, paketim dhe etiketim, si dhe në makineri për prodhimtari të kultivuar.
Kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme për përfituesit e kategorisë së parë, sipas Behramajt është 20,000 euro për një projekt, ndërsa kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme për përfituesit e kategorisë së dytë arrin deri në 100,000 euro.
Në anën tjetër, pronari i kompanisë Agroprodukt Syne, Halit Avdijaj, i cili ka të mbjellë një sipërfaqe prej 85 hektarëve me bimë mjekësore, thotë se kjo mbështetje do të ndikojë në shtimin e prodhimtarisë.
Kjo përkrahje financiare e ministrisë do të shtojë vlerën e produkteve jodrusore të malit, pasi përmes makinerisë fermerëve do tju krijohen mundësitë që të zhvillojnë më shumë veprimtaritë e tyre, duke ndikuar kështu edhe në shtimin e qendrave grumbulluese të këtyre produkteve, thotë Avdijaj.
Ai tregoi se krahas kultivimit, merret edhe me grumbullimin e këtyre frutave malore, ku gjithsej në tërë territorin e Kosovës i ka 32 qendra grumbulluese, nga të cilat arrin ti grumbulloj mbi 50 lloje të bimëve jodrusore të malit.
Gjatë një viti, Avdijaj arrin të eksportoj deri në 150 ton të këtyre produkteve në Gjermani, Zvicër dhe Austri, ndërsa për shitjen e këtyre produkteve në tregun vendor ai ka kontratë me katër kompani kosovare.
Kosova vlerësohet se zonat malore i ka tejet të pasura me bimë jodrusore dhe fruta të malit dhe se grumbulluesit e tyre në nivelin qendror i kanë tregjet e siguruara në vendet evropiane dhe nuk kanë probleme me shitjen e tyre.
Periudha e aplikimit për të përfituar nga kjo përkrahje është hapur me 17 janar dhe është e hapur deri në fund të muajit të ardhshëm.