Mbahet takimi i nëngrupit punues për bujqësinë
Prishtinë, 26 nëntor - Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) u mbajt takimi i katërt i Nëngrupit Punues për Bujqësi, i themeluar në kuadër të Politikës Tregtare dhe i përberë nga përfaqësues të institucioneve të Qeverisë së Kosovës, komunitetit të biznesit, shoqatave të biznesit dhe të donatorëve.
Takimi është organizuar nga Departamenti i Tregtisë në MTI dhe qëllimi i takimit ishte që të adresohen shqetësimet apo problemet e ngritura nga bizneset, qofshin probleme teknike, legjislative apo edhe administrative.
Për këtë arsye edhe bashkëkryesimi i këtij nëngrupi bëhet nga një përfaqësues i biznesit dhe nga një përfaqësues i institucioneve publike.
Në takim u ngritën dhe u diskutuan çështjet e parapara në agjendë. Si raportimi lidhur rreth vonesave për marrjen e certifikatave sanitare për eksport gjatë ditëve të vikendit. Lidhur me këtë është ofruar një orar prej 08:00-16:00 gjatë ditës së shtune.
Gjithashtu, lidhur me importimin e koncentratit nga Serbia, me çrast kërkohet të vendoset TVSH-ja për koncentratin e importuar. Çështje tjetër është edhe regjistrimi, certifikimi dhe licencimi i aktiviteteve bujqësore. Për dy te fundit, është mbetur që të adresohen deri në takimin e ardhshëm.
Në vazhdim është diskutuar me përfaqësuesit bizneseve lidhur me vonesat e certifikatave për autorizim të produkteve për mbrojtjen e bimëve (insekticideve me standarde evropiane).
Për këtë mbetet që Departamenti i Tregtisë në bashkëpunim me bashkëkryesuesit e këtij nëngrupi (përfaqësuesin e Ministrisë së Bujqësisë dhe përfaqësuesin e bizneseve) të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje adekuate.
Ne fund të takimit janë prezantuar të arriturat e Departamentit të Tregtisë, si dokumenti i vlerësimit të ndikimit makroekonomik të marrëveshjeve tregtare me BE-në dhe Turqinë, si dhe baza e të dhënave për shërbime, bazuar ne listën e Organizatës Botërore të Tregtisë për shërbime (120 OBT).