Mbahet takimi i Komisionit Ndërministror për Administrimin e Tokës
Prishtinë, 30 tetor - Me qëllim të diskutimit të projekteve të shumta nga fusha e administrimit të tokës dhe koordinimin e aktiviteteve mes donatorëve të ndryshëm në këtë fushë, me datë 30 tetor 2013 në Prishtinë u mbajt takimi i Komisionit Ndërministror për Administrimin e Tokës.
Fjalën hyrëse në këtë takim e mbajti Zëvendës Ministri i MMPH-së Shpëtim Rudi, i cili foli për përkrahjen që Qeveria e Kosovës ia jep në vazhdimësi fushës së administrimit të tokës. Kjo përkrahje, sipas tij, është dhënë si përmes financave, po ashtu edhe përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë me ekspertë në realizimin e projekteve të ndryshme
Më pas Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha përmendi aktivitetet e ndryshme që janë realizuar në fushën e administrimit të tokës dhe kadastrës, me theks të veçantë në projekte si rindërtimi i informacioneve kadastrale, krijimi i kadastrit të ndërtesave, përfundimi i implementimit të Sistemit të Informacioneve mbi Kadastrën dhe Tokën në Kosovë, Sistemin e Unifikuar të Adresave, Gjeoportalin Shtetërorë, etj.
Më pas Meha iu referua edhe raportit të Bankës Botërore Doing Bussines i cili radhit Republikën e Kosovës në mesin e dhjetë shteteve më reformatore, si dhe ngritjen Republikës së Kosovës për 17 pozita sa i përket fushës së regjistrimit të pronës.
Për këtë të arritur Kryeshefi i AKK-së tha se vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, shumica e të cilëve edhe janë pjesë përbërëse e Komisionit Ndërministror për Administrimit të Tokës.
Nga ana e tyre edhe donatorët u shprehën të kënaqur nga rezultatet e arritura, duke përfshirë edhe vlerësimin e fundit të raportit të Bankës Botërore Doing bussines.
Prezantimet u përcollën edhe me debate konstruktive rreth sfidave me të cilat mund të ballafaqohet administrimi i tokës, ndërsa nga sfidat më të mëdha është mirëmbajtja e të gjitha këtyre projekteve dhe mbajtja e ekspertëve, pas përfundimit të donacioneve.
Organizatore e këtij takimi është Agjencia Kadastrale e Kosovës, ndërsa pjesëmarrëse në Komision ishin përfaqësues të institucioneve vendore të përfshira në fushën e menaxhimit të tokës si Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës, Zyra e Kryeministrit, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agjencia Kosovare e Pronës,Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Po ashtu edhe përfaqësues të donatorëve të fuqishëm në fushën e administrimit të tokës si Banka Botërore,Qeveria Norvegjeze,GIZ, Komisioni Evropian, JICA japoneze, etj.
Ky takim i Komisionit Ndërministror për Administrimin e Tokës është i teti me radhë, ndërsa i ardhshmi pritet të mbahet në muajin mars të vitit 2014.