Mbahet forumi debatues për sektorin pyjor të Kosovës
Prishtinë, 26 shtator - Zyrtarë të lartë të insitucioneve të Kosovës, përfaqësues të organizatave donatore dhe ekspertë të pylltarisë po diskutojnë për rritjen e kontributit të sektorit pyjor në ekonominë e vendit si dhe për promovimin e menaxhimit dhe qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve.
Në forumin debatues të organizuar nga programi për pylltari që financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë, zbatuar nga FAO, u theksuan sfidat dhe propozimet afatgjate për mbrojtjen e resurseve dhe zhvillimin e sektorit.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci theksoi se forume të tilla debatuese janë më se të nevojshme sidomos në kohë të tilla kur pyjet po marrin rol të veçantë në zhvillimin ekonomik, mjedisor dhe atë social.
“Kosovën e përbëjnë pyjet, pothuajse me gjysmën e territorit të vet. Andaj, na duhet të mendojmë disa herë para se të veprojmë një herë, në mënyrë që natyra me të cilën jemi bekuar, të mos vuaj nga veprimet dhe mos-veprimet tona."
"Pyjet janë pasuri kombëtare dhe njëherit janë pasuri për të cilën do thirremi në përgjegjësi nga gjeneratat që vijojnë. Andaj duhet patur kujdes në cdo hap që hedhim, për cdo degë të prerë, për cdo trung të mbjellur”, tha ministri Peci.
Eksperti ndërkombëtar i FAO-s për pylltari, Ekrem Yazici theksoi se pylltaria është një sektor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
“Ne bashkarisht duhet të vlerësojmë se a kemi qeverisje të mirë dhe strukturë të mirë institucionale, si dhe të ndërmarrim hapat e nevojshëm për përmirësimin e gjendjes”, tha z.Yazici, duke ofruar gatishmërinë e FAO-s për mbështeje përmes programit që është duke u zbatuar aktualisht.
Gjatë forumit debatues janë përmendur nevoja urgjente për ndaljen e prerjeve të parregullta dhe ilegale në pyje, organizimin e edukimit profesional për pylltari dhe trajnime të përhershme për personelin e Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe të komunave, zvogëlimin e informalitetitt dhe rritjen e buxhetit dhe investime për sektorin e pylltarisë.
Pjesëmarrësit e forumit po diskutojnë poashtu për rëndësinë dhe nevojat për reformë institucionale si dhe edukimin në pylltari.
Forumi debatues për sektorin pyjor në Kosovë është i treti me radhë i dhe ka për qëllim të ofrojë konkluzione dhe rekomandime të shoqëruara me veprime të qarta në përmirësimin e gjendjes në sektorin pyjor të Kosovës.