Masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes 'Gjuha e Kaltër'
Prishtinë, 3 gusht - Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar të gjithë qytetaret, fermerët dhe institucionet qendrore dhe lokale të Republikës se Kosovës, se pas vlerësimit të situatës mbi paraqitjen e sëmundjes ‘’Gjuha e Kaltër’’(Bluetongue) tek kafshët të konfirmuar në shtetin fqinjë të Republikës se Maqedonisë se Veriut, dhe dy rasteve të dyshimta në fermat e komunave të brezit kufitar.
Si masë parandaluese e përhapjes se sëmundjes vendoset ndalesa e lëvizjes se kafshëve në këto komuna: Shtërpcë, Ferizaj, Viti, Kaçanik, Hani i Elezit, Dragash, Prizren. Komunat e vendit duhet të sigurojnë vendin e groposjes në rast se kemi ngordhje të kafshëve.
Nëse do të kemi shpërthime të sëmundjes në komunat tjera do te vlejnë masat e njëjta.
Autoritet kompetente shtetërore dhe fermerët janë të obliguar të ndërmarrin këto veprime për parandalim të përhapjes se sëmundjes:
Fermerët blegtoral duhet të njoftojnë rastet e dyshimta të paraqitjes së kësaj sëmundje në fermat e tyre, tek veterinarët lokal apo zyrtaret e komunave;
Ndalimi i lëvizjes së kafshëve nga fermat e komunave të lartë cekura;
Trajtimi mjekësor i kafshëve të prekura;
Dezinsektimi dhe dezinfektimi i fermave dhe kafshëve
Groposja e kafsheve të ngordhura në vende të sigurta nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së dhe
Mbyllja e tregjeve të kafshëve në të gjithë vendin.
Ne si autoritet jemi duke ndërmarre të gjitha veprimet e nevojshme sipas Udhëzimit Administrativ për luftimin dhe çrrënjosjen e sëmundjes Gjuha e Kaltër.
Sëmundja Gjuha e Kaltër është sëmundje virusale jo ngjitëse e cila prek ruminantet shtëpiak. Prej këtyre shenja të theksuara klinike japin delet e më pak dhite dhe shume rralle lopët.
Janë insektet të gjinisë Culicoides qe bëjnë transmetimin e sëmundjes tek kafshët. Sëmundja nuk transmetohet nga kafsha tek kafsha si dhe nga kafshët tek njeriu.