Masa të shumta përkrahëse edhe për fermerët e Obiliqit
Prishtinë, 18 mars Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashin, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e deritanishme në sektorin e bujqësisë, si dhe për mbështetjen e kësaj ministrie për fuqizimin e mëtejmë të sektorit në mbarë vendin.
Me këtë rast, ministri Krasniqi, e ka njoftuar kryetarin për masat mbështetëse të këtij viti, të cilat janë përfshirë në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, përmes të cilit ai tha se synojnë zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarive bujqësore e blegtorale.
Me rritjen e buxhetit për këtë ministri, Krasniqi tha se e kanë zgjeruar edhe mbështetjen përmes masave të shumta përkrahëse për shumë sektor, për të cilat tashmë janë hapur edhe thirrjet për aplikim, me çrast ai u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve, duke përfshirë edhe ata të kësaj komune, që të aplikojnë për të përfituar nga masat përkrahëse të këtij viti.
Nga ana e tij, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, e uroi ministrin për detyrën dhe e falënderoi për gatishmërinë për përkrahjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë në këtë komunë. Po ashtu, kryetari Gashi, e njoftoi ministrin për progresin e arritur në këtë sektor, si dhe për sfidat me të cilat përballen fermerët e kësaj komune.