Marrëveshje për promovimin e qumështit të freskët
Prishtinë, 20 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me Agjencinë e Ushqimit të Kosovës, Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit dhe Programin e USAID-it Tetra Tech, me qëllim të realizimit të projektit Promovimi i qumështit të freskët në Kosovë.
Me këtë marrëveshje mirëkuptimi palët nënshkruese pajtohen për bashkëpunim në
zhvillimin e veprimtarive, të cilat do të ndikojnë në promovimin e qumështit të freskët te konsumatori, duke siguruar njëkohësisht edhe arritjen e cilësisë së nevojshme dhe monitorimin e vazhdueshëm dhe transparent të plotësimit të kritereve pa cenuar rregullat dhe kriteret e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Realizimi i projektit Prezantimi dhe Promovimi i Qumështit të Freskët në Kosovë, do të zbatohet nga ndërmarrje profesionale për marketing, të cilat do të mbikëqyren nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK) në të gjitha fazat e projektit, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Komitetit Drejtues të Projektit.
Ndryshe, realizimi i këtij projekti do të zgjasë dy vjet dhe financohet nga Programi i USAID-it Tetra Tech, i cili po ashtu do të kontraktojë kompaninë zbatuese për projektin për promovimin e qumështit të freskët.