Maqedonia vendos të lejojë importin e miellit nga Kosova
Shkup, 21 nëntor - Qeveria e Maqedonisë në seancën e saj të rregullt, të dielën, mori vendim për zhbllokimin e importit të miellit nga Kosova.
Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë vjen si pasojë e presionit të institucioneve kosovare ndaj ndalesës së importeve të miellit.
Bizneset kosovare kishin raportuar mbi humbjet të cilat u janë shkaktuar nga pamundësia e plasimit të miellit në tregun maqedonas.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila kishte paralajmëruar ministrin e Ekonomisë, Valon Saraqini mbi pasojat e vazhdimit të kësaj ndalese dhe kishte bërë thirrje për respektimin e marrëveshjes për tregtinë e lirë CEFTA.
Bllokimi i eksportimit të miellit në Maqedoni është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s dhe për këtë arsye Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka ngritur këtë çështje edhe në CEFTA.
Bllokimi i importit të miellit në Maqedoni u aplikua nga gushti i këtij viti për të gjitha shtetet pa dallim, me qëllim të mbrojtjes së produkteve të tyre vendore.