Ligji për tokën bujqësore duhet të implementohet
Prishtinë, 27 tetor - Në një takim dy ditor të mbajtur në hotelin Amazona, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, shqyrtoi rekomandimet e grupit punues për zbatimin e Ligjit për tokën bujqësore.
Në këtë takim, të mbështetur nga OSBE-ja, morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përfaqësues komunash, dhe NDI-ja.
Nait Hasani, kryetar i Komisionit, pasi përshëndeti të pranishmit njoftoi se Komisioni, përkatësisht grupi punues për monitorimin e Ligjit për tokën bujqësore i prirë nga Nijazi Idrizi, këtë ligj e kanë monitoruar gjatë periudhës maj tetor 2011.
Në vijim, Nijazi Idrizi njoftoi në hollësi për aktivitetet e grupit punues gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji.
Lidhur me këtë, Idrizi, në vijim tha: Qëllimi i Komisioni ishte të vlerësojë nëse MBPZHR-ja, MMPH-ja dhe komunat, janë duke i përmbushur obligimet me të cilat i ngarkon ky ligj.
Për të arritur këtë, vijoi ai, Komisioni ka bërë vlerësimin e kornizës së politikave, vlerësimin e kornizës ligjore, vlerësimin e zbatimit të Ligjit mbi tokën bujqësore dhe vlerësimin e harmonizimit të Ligjit mbi Tokën Bujqësore me ligjet tjera të kësaj fushe.
Për sa i përket kornizës ligjore, Idrizi tha se grupi punues ka vlerësuar se Ligji për tokën bujqësore është i mirë, por duhet krijuar mekanizma adekuat dhe ngritje potencialesh nga institucionet për implementimin e ligjit.
Lidhur me mos zbatimin e Ligjit për tokën bujqësore, të pranishmit shfaqën shqetësimet e tyre me të dhëna konkrete për dëmin që pëson toka bujqësore.
Sipërfaqe të tokës bujqësore në zonat urbane vazhdojnë të mbulohen nga ndërtimet, sidomos, për shkak të migrimit të popullsisë nga fshatrat në qytete, ndërsa edhe në zonat rurale, nuk vërehet tendenca e rënies. Për më keq, këto ndërtime kanë përfshirë edhe tokat nën komasacion dhe atë nën sistemin e ujitjes, në të cilat është investuar shumë buxhet në të kaluarën, u tha në këtë takim.
Në vijim, nga të pranishmit u konstatua se sipas të dhënave nga MBPZHR-ja, në Kosovë çdo vit humben rreth 1000 ha tokë bujqësore.
Lidhur me të gjeturat rreth moszbatimit të këtij ligji, kryesuesi i grupit punues, Idrizi, njoftoi se ato i kanë formuluar në formë konkluzionesh, ndërkaq për ministritë përkatëse dhe institucionet tjera relevante kanë nxjerrë rekomandime adekuate.
Pas shqyrtimit të raportit, Komisioni vendosi ti mbështesin konkluzionet dhe rekomandimet e paraqitura nga grupi punues për implementimin e Ligjit për tokën bujqësore, të cilin do tia paraqesin edhe Kuvendit për shqyrtim.