Ligji mbi verërat duhet ndryshuar
Prishtinë, 21 shtator - Në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor u debatua problemi i shitjes së rrushit nga vreshtarët e Rahovecit.
Kryetari i Komisionit, Naser Rugova, shprehu shqetësimin për problemin e vreshtarëve. Ai tha se kanë ndjekur rrugën institucionale për të biseduar dhe kërkuar zgjidhje lidhur me problemet e prodhuesve të rrushit. Rugova siguroi se komisioni që ai drejton është i gatshëm të procedojë në Kuvendë të gjitha masat e nevojshme që do të ndihmonin në tejkalimin e kësaj çështje.
Ndërsa zëvendës ministri i bujqësisë Xhabir Morina, duke dhënë një pasqyrë rreth angazhimeve të ministrisë, tha se Ministria e Bujqësisë ka marrë masa për tejkalimin e gjendjes së krijuar me prodhuesit e rrushit . Në lidhje me këtë ai tha Ministria ka propozuar që ndërmarrjet përpunuese të verës të subvencionohen me 0,04 euro për çdo litër të verës së prodhuar gjatë vitit 2009.
Ndërkaq, lidhur me infrastrukturën ligjore, e cila do të ndikonte në zgjidhjen e çështjes së ngritur, Morina vuri në pah nevojën e ndryshimit të Ligjit mbi verërat, ku sipas MBPZHR-së, vera të trajtohet si prodhim ushqimor bujqësor i fituar ekskluzivisht nga fermentimi alkoolik i tërësishëm apo i pjesshëm i rrushit të freskët.
Morina tha se deri nesër do të gjendet zgjidhje e duhur rreth kësaj çështje, ndërkaq anëtarët e komisionit u shprehën për bashkëpunim të përbashkët për tejkalim të kësaj situate.