Ligjëvensit kërkojn evitimin e betonimit të tokës bujqësore
Prishtinë, 26 shtator - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës u tha se shumë sfida e përcjellin implementimin e Ligjit për tokat bujqësore.
Shfrytëzimi jo i qëndrueshëm i tokës bujqësore, ndotja dhe ridestinimi i saj, janë të gjeturat e grupit punues të Komisionit për implementimin e ligjit.
Kryesuesi i grupit punues për implementimin e Ligjit për tokën bujqësore, Nijazi Kryeziu, tha se, me gjithë faktin që ligji nuk është duke u implementuar në mas të duhur, është shqetësuese indiferenca e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe e kuvendeve komunale ndaj këtij fakti. Lidhur me këtë, edhe kryetari i Komisionit bëri thirrje që të merren masa të menjëhershme për zbatimin e ligjit dhe të: Evitohet praktika e betonimit të tokës bujqësore.
Ndërkaq, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, nga ana e tij njoftoi për masat që ka marrë ministria për zbatimin e këtij ligji.
Ai po ashtu foli për sfidat që e përcjellin ministrinë që ai udhëheqë duke vënë në pah një varg pengesash.
Me këtë rast, ministri Stavileci tha se mungesa e statistikave të bujqësisë paraqet problem të madh për ministrinë.
Ai me këtë rast përkujtoi se statistika zyrtare mbi bujqësinë nuk janë bërë që nga viti 1960, andaj të dhënat statistikore sigurohen nga burime të ndryshme dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale të bujqësisë.
Lidhur me këtë, ministri në vijim njoftoi se ministria ka aplikuar për anëtarësim në IPA, (organizatë ndërkombëtare për statistika të bujqësisë), gjë që sipas tij do të ndikonte në të mirë të implementimit të plot të ligjit.
Ministri në vijim tha se ligji ka paqartësi lidhur me kompetencat në raport me institucionet qendrore dhe ato lokale.
Ndërkaq, pyetjes së anëtares së Komisionit, Sevdie Lama se a duhet ndryshuar Ligji për tokën bujqësore, ministri iu përgjigj pozitivisht.
Po ashtu, sfidë për implementimin e ligjit ministri paraqiti mungesën e planeve zhvillimore dhe Planin Hapësinor të komunave.
Duke folur për objektivin e ministrisë dhe masat që kanë paraparë lidhur me implementimin e këtij ligji, ministri Stavileci tha se ministria ka për qëllim jo vetëm ruajtjen e tokës, por edhe shfrytëzimin racional të saj.
Ai ofroi të dhëna lidhur me stimulimin financiar që u është bërë bujqve për tua lehtësuar mbjelljen e tokës.
Ministri, në fund të ekspozesë së tij shprehu bindjen se pa harmonizimin e veprimeve të të gjithë faktorëve relevant, ligji nuk do të gjejë zbatim të plotë.
Me këtë rast ai përmendi rolin dhe përgjegjësit e komunave, Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe Ministrinë Drejtësisë.