Let’s Do It pastron Gërminë për herë të dytë, thirrje për t’i gjobitur ndotësit
Aksioni është mbajtur në hapësirat të cilat veçse ishin pastruar gjatë Fushatës tre mujore “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se nga kjo hapësirë gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” ishin larguar mbi 40 kamionë.
Është për të ardhur keq që është dashur sërish të pastrohet lokacioni i njëjtë, për shkak të papërgjegjshmërisë së ndërtuesve të cilët kishin hedhur mbetjet aty dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë hedhur mbeturina në vende jo të duhura.
Hasanaj ka paralajmëruar edhe masa ndëshkuese për ndotësit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
“Po rikthehemi në Gërmi, për të ripastruar një hapësirë nga ku kemi larguar mbi 40 kamionë mbetje gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Po shihet që ndërtuesit sërish kanë hedhur mbetjet e tyre. Është shumë e rëndësishme që të mirëmbahet ky vend, sepse kur ne sjellim dikë në Prishtinë, zakonisht e dërgojmë në Gërmi."
"Andaj, çfarë imazhi i japim vendit tonë nëse hapësira të tilla shndërrohen në deponi mbeturinash. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë ndërtuesve, sidomos atyre në Prishtinë që të mos i hedhin mbetjet e tyre këtu. Po ashtu, i njoftojmë se ne jemi duke punuar me inspektoratin dhe Komunën e Prishtinës dhe do t’i dënojmë të gjithë ata që gjuajnë mbetje."
"Pra, përveç pastrimit, hapësirat e tilla edhe do të monitorohen. I bëj thirrje edhe Komunës së Prishtinës, që të jetë më aktive në mirëmbajtjen e këtyre zonave. Për kontributin e tyre e falënderojmë shumë Kompaninë “Pastrimi”, si dhe grupin e studentëve që kanë ardhur nga Italia”, ka thënë Hasanaj.
Thirrje për kujdes më të madh për Parkun e Gërmisë dhe hapësirat e tjera të gjelbëruara kanë bërë edhe studentët e Shkollës së Mesme Internacionale “UWC Adriatic” në Itali, të cilët ishin pjesë e aksionit të sotëm.
“Ne jemi disa studentë të zgjedhur nga e gjithë bota, ku kemi ardhur të shëtisim vende të ndryshme dhe të tregojmë për përvojat tona që marrim nga këto shëtitje. Ne kemi vendosur që destinacionin e ardhshëm ta kemi këtu në Kosovë pasi që është një vend shumë interesant dhe ka një histori interesante."
"Ne kemi ardhë këtu me organizatën “Let’s Do It Kosova” dhe është kënaqësi të punosh me ta. Shpresoj që në të ardhmen njerëzit në Prishtinë të kujdesen edhe më shumë për ambientin e tyre pasi që edhe unë jam shumë e impresionuar nga natyra e bukur këtu”, ka thënë njëra nga studentet.
Let’s Do It falënderon Kompaninë “Pastrimi”, e cila ka bërë largimin e mbetjeve nga ai lokacion.
Përfaqësuesi i kësaj Kompanie, Beqir Batusha ka thënë se ata do të përkrahin aksione të tilla të pastrimit, sa herë që organizohen, teksa ka falënderuar Organizatën Let’s Do It për bashkëpunimin e vazhdueshëm.