LDK: MBZHR duhet kompensuar demët në bujqësi
Prishtinë, 15 qershor - Grupi i ekspertëve për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), shpreh shqetësimin për gjendjen në sektorin e bujqësisë, sidomos pas dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet në Kosovë .
Të dhënat e para që vijnë nga komunat e përfshira nga breshëri dhe vërshimet kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit dhe Anamoravës flasin për dëme të mëdha në kulturat e ndryshme bujqësore.
Në disa regjione si në regjionin në mes Pejës dhe Istogut, dëmet janë në shkallë 50 - 100 %. Edhe në pjesët tjera dëmet janë mjaft të larta.
Sipërfaqet e dëmtuara përfshijnë mijëra hektarë ndërsa vlera e dëmeve është me miliona euro. Këto të dhëna tregojnë se familje të tëra në gjithë Kosovën kanë pësuar dëme të mëdha.
LDK vlerëson së pasojat e këtyre dëmeve mund të jenë afatgjate, pasi që përveç humbjeve të prodhimit, humbet edhe mundësia e fermerëve për të investuar gjatë viteve në vijim, në rritjen e prodhimit të tyre.
Deklarimet e shumë zyrtarëve në komuna gjatë këtyre ditëve e kanë cilësuar situatën alarmante dhe kanë apeluar për ndihmë.
"Fatkeqësisht, institucionet qendrore nuk kanë marrë asnjë masë që të ju dilet në ndihmë këtyre fermerëve. Ne kemi pritë një reagim më të shpejt të Ministrisë së Bujqësisë por fatkeqësisht përveç ndonjë deklarate tërthorazi të ndonjë zyrtari për informim nuk kemi pasë asnjë aktivitet konkret", thekson grupi i eksperteve të LDK-së.
Kjo sipas tyre tregon për mos seriozitetin që ka kjo Ministri dhe kjo qeveri ndaj problemeve reale me të cilat përballen fermerët.
Dëmet e këtilla nuk janë vetëm në këtë vit, fatkeqësisht edhe vitin e kaluar ka pasur dëme dhe përveç disa kompensimeve simbolike nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje të qeverisë.
Për shembull, në Istog dëmet kanë qenë rreth 1.000.000 Euro ndërsa vlera e kompensimit ka qenë rreth 17.000 Euro.
LDK vlerëson se në asnjë dokument të Ministrisë nuk ekziston planifikimi për situata të këtilla.
"Në rend të parë Ministria nuk ka ndërtuar asnjë infrastrukturë ligjore që të veprojë në situata të dëmeve në bujqësi. Edhe në disa raste të ndonjë kompensimi simbolik ajo është bërë pa kurrfarë mbështetje ligjore."
Planifikimet buxhetore për këtë vit por edhe për vitet në vazhdim sipas LDK-së nuk e përfshijnë askund kompensimin e bujqve për dëmet nga breshëri, vërshimet apo fatkeqësi tjera.
Duke patur parasysh faktin se dëmet e kësaj natyre janë shumë të shpeshta në Kosovë, është me shumë rëndësi që Ministria të ketë një qasje më serioze ndaj këtij problemi duke krijuar fonde të posaçme që garantojnë prodhuesit për raste të këtilla.
Kosova ka pasur një sistem mjaft të avancuar për mbrojtje kundër breshrit. Është tepër e nevojshme që institucionet tona të punojnë në riaktivizimin e këtij sistemi pasi që është me rëndësi jetike për bujqësinë e Kosovës mbrojtja kundër breshrit.
Qasje tepër jo serioze e kësaj qeverie ndaj sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural gjithnjë sipas LDK-së mund të ilustrohet më së miri edhe me planifikimet e reja buxhetore.
Me kornizën afatmesme të shpenzimeve, parashihet ruajtja e gjendjes ekzistuese pasi që buxheti për bujqësi deri në vitin 2016, parashihet të jetë përafërsisht i njëjtë me këtë që është tani (rreth 23.000.000 Euro).
Buxheti për subvencione edhe në vitet në vijim do të jetë rreth 9.000.000 Euro. Kjo është vlera e vërtetë e cila është për sektorin, pasi që buxheti për investime kapitale, po thuajse çdo vit vetëm bartet.
Kjo mund të ilustrohet edhe me faktin se nga 8.800.000 që është buxheti i këtij viti vetëm rreth 330.000 Euro janë planifikime të reja të gjitha të tjerat janë të bartura nga vitet e kaluara.
"Deklarimet e shpeshta për rritje të buxhetit nga ana e Ministrisë janë të pa vërteta pasi që me këtë dokument (KASH), jo që nuk ka rritje por në realitet kemi një tendencë për të ruajtur një gjendje e cila është tepër e rëndë për fermerin e varfër kosovar."
Deklarimet e shpeshta të Ministrit që kjo të mbulohet me donacionet e donatorëve të ndryshëm sipas LDK janë më tepër përpjekje për tu munduar që të mbulohen dështimet e kësaj ministrie në përkrahjen dhe zhvillimin e sektorit të Bujqësisë.
LDK konsideron se fatkeqësisht përveç që ky buxhet është i pamjaftueshëm ai edhe nuk menaxhohet si duhet. Është shumë e nevojshme rritja e transparencës si dhe efikasitetit të Ministrisë në ndarjen e subvencioneve dhe granteve.
Kjo në rend të parë nënkupton një përfshirje më të madhe edhe të komunave pasi që ato tani për tani janë vetëm servis i Ministrisë.
Vonesat e shumta në ndarjen e subvencioneve janë të pa tolerueshme (psh. subvencionet për grurin ende nuk kanë filluar të shpërndahen, edhe pse po afrohet faza e korrjes së grurit).
Duke pasur parasysh faktin se investimet në bujqësi mund të ndikojnë direkt në rritjen e punësimit dhe uljes së varfërisë është e domosdoshme rritja e buxhetit për këtë sektor së paku trefishi i planifikuar.
Në të kundërtën nëse ne nuk do të kemi rritje të buxhetit për bujqësi në tri vitet e ardhshme, jo që nuk do të kemi ulje të papunësisë dhe varfërisë por përkundrazi gjendja do të përkeqësohet edhe më tutje. Bazuar në këto të dhëna është tepër e nevojshme që të rritet përkrahja për këtë sektor.
Përqendrimi i Ministrisë së Bujqësisë në disa aktivitete që kanë për qëllim vetëm paraqitje të mirë mediale, pa u marrë me problemet reale të sektorit e ka vënë prodhuesin bujqësor në vështirësi të mëdha.
Ndërsa problemet strategjike si ruajtja e tokës bujqësore, dëmtimet e pyjeve dhe probleme tjera që janë drejtpërdrejt përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë, pothuajse kanë mbet komplet në mëshirën e kohës.
Dëmet në këta sektor do të jenë me pasoja afatgjate për vendin. Për këtë arsye ne kërkojmë nga Ministria që ti trajtojë me seriozitet këto resurse të rëndësishme për Kosovën.