Landi i Tirolit të Austrisë organizoi Ditën e Gjelbër në Kosovë
Istog, 19 maj - Landi i Tirolit të Austrisë organizoi për herë të parë në Kosovë, Ditën e Gjelbër dhe Ditën e silazhit të barit, që u mbajt në Gurakoc të Istogut.
Kjo ditë e Gjelbër në qendër të vëmendjes pati menaxhimin e fushave të gjelbra dhe të fushave të shfrytëzueshme në Kosovë.
Mbi 200 fermerë nga e gjithë Kosova kanë marrë mësim praktik nga ekspertët e njohur ndërkombëtarë të kësaj fushe Prof. Dr. Karl Buchgraber dhe Alfred Pöllinger nga Qendra për hulumtim dhe mësimdhënie mbi hapësirë malore Gumpenstein /Austri.
Ata demonstruan shembuj praktikë të standardeve ndërkombëtare të menaxhimit të fushave të gjelbëruara ku bujqit kosovarë mësuan praktikën më të mirë se si ta lehtësojnë punën e tyre në të mirë të fermave të tyre.
Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Dr. Johann Brieger, pasi i përshëndeti bujqit e pranishëm në këtë ngjarje, e vlerësoi rëndësinë e kësaj dite, e cila tash e 30 vjet organizohet në Austri.
Kosova dhe Austria kanë bashkëpunim shumëvjeçar në shumë fusha, por fokusi i mbështetjes së shtetit austriak është në veçanti në dy fusha; në atë të arsimit dhe të bujqësisë. Në sektorin e bujqësisë kemi bashkëpunim të fortë me Landin e Tirolit dhe e kemi një partner të fortë në këtë drejtim. Unë përcjell punën e tyre nga dita ime e parë këtu, dhe mund të them se jam shumë i kënaqur, tha ambasadori Brieger, duke shpreh interesim për të ndihmuar edhe në të ardhmen.
Ai tha se nuk është rastësi që Istogu është zgjedhur për organizimin e ditës së parë të gjelbërimit, sepse sipas tij, Istogu ka fermerë të shkëlqyeshëm, që kanë treguar se kanë njohuri në këtë sektor dhe do të vazhdojnë me këto suksese edhe në të ardhmen.
Përfaqësuesi i Landit të Tirolit të Austrisë, z. Peter Logar, i cili është udhëheqës i projekteve në Kosovë,falënderoi Komunën e Istogut për bashkëpunimin e ofruar për organizimin e kësaj dite dhe sponsorët austriakë, si Lindner dhe Raiffeisen John Deere që kanë mundësuar këtë organizim.
Ndërkaq, duke i falënderuar për organizimin e kësaj dite, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova tha se Qeveria austriake dhe populli i saj, ka ndihmuar gjithmonë popullin e Kosovës në periudhën më emergjente, pas përfundimit të luftës e deri më sot.
Qëllimi i këtij takimi është përkrahja e fermerëve në fusha të ndryshme duke marr parasysh se Landi i Tirolit është i njohur në menaxhimin e zonave të gjelbra e sidomos në përpunimin dhe përgatitjen e silazhit me metodat më bashkëkohore, tha kryetari Rugova, duke shtuar se në bashkëpunim me Landin e Tirolit të Austrisë, i kanë përkrahur fermerët edhe me lopë qumështore me qëllim të përmasimit të racës së lopëve.