Kuvendi i Kosovës shënoi ditën Ndërkombëtare të Tokës
Prishtinë, 22 prill - Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-in dhe NDI-në, shënuan sot Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Iniciativës së komisionit për të shënuar këtë ditë (e cila sot shënon dyzet vjetorin e saj), iu bashkëngjitën shumë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast, ata mbollën fidanë dhe lule në hapësirat e oborrit të Kuvendit, në rrugën e UÇK-së dhe Nëna Terezë . Me rastin e kësaj dite, edhe sheshit Skënderbe iu shtuan lulet dhe fidanët e njomë.
Kryetari i komisionit Naser Rugova, duke përshëndetur përfaqësuesit e UNDP-së dhe NDI-së për ndihmën e vazhdueshme që i ofrojnë komisionit me këtë rast tha se, kjo iniciativë, megjithëse simbolike, shënon rëndësinë dhe domosdoshmërinë që secili prej nesh të veprojë më me ngulm, për mbrojtjen e Tokës dhe ambientit. Me këtë rast japim mesazhe për njerëzit, shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe për ekonominë ,që të mos mendojnë vetëm për eksploatimin ekonomik të Tokës, por edhe për ruajtjen e saj dhe të ambientit, ka theksuar Rugova.
Gjat prononcimit të tij për media, Rugova më tej shtoi se, miratimi i ligjeve përkatëse që do të mbrojë biodiversitetin, natyrën dhe ambientin, janë detyra parësore të institucioneve tona.
Tetsuo Kondo, zëvendësdrejtor i UNDP-së tha se: jemi krenarë që si Organizatë Ndërkombëtare Zhvillimore kemi mundësin të përkrahim Kuvendin e Kosovës, duke premtuar ndihmë edhe në të ardhmen, ka theksuar Tetsuo Kondo, zëvendësdrejtor i UNDP-së.