Kultivuesit e shpezëve mblidhen në panair në Mitrovicë
Mitrovicë, 9 janar - Kultivuesit e shpezëve prej qyteteve të ndryshme të Kosovës janë mbledhur në Mitrovicë për të garuar me shpendin më të bukur.
Këtë ata e kanë bërë në Panairin tradicional të shpezëve që u mbajt në hollin e qendrës së kulturës Rexhep Mitrovica në Mitrovicë.
Adem Potoku, kryetar i Shoqatës së kultivuesve të bilbilave në Kosovë, tha se ky është panairi i tretë tradicional që mbahet në Mitrovicë.
Në këtë panair ka kultivues të shpezëve, si pulave, pëllumbave e bilbilave nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Ai sqaroi se kjo shoqatë selinë qendrore e ka në Mitrovicë, mirëpo degët e saj funksionojnë në të gjitha qytetet tjera të vendit, me përjashtim të Ferizajt dhe Gjilanit.
Ka kultivues të shumë dhe dashamirës të shpezëve, kështu që e kemi parë të udhës që të organizohemi.
Ndërsa sekretari i kësaj shoqate, Fahredin Doroci, tha se ka tri vite që janë më të organizuar dhe vazhdimisht nëpër qytete mbahen edhe garat kampionate ndërmjet kultivuesve të shpezëve.
Prej vitit 2009 kur e kemi themeluar shoqatën vazhdimisht kemi organizuar aktivitete të ndryshme të kultivuesve të shpezëve të ndryshme.
Ai theksoi se është një lajm i mirë për ta edhe mbështetja nga institucionet vendore. Këtë vit për organizimin e panairit materialisht na ka ndihmuar Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Mitrovicës, të cilën e falënderojmë shumë.
Në hapje të këtij panairi ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë, Bislim Imeri. Ai i ka përgëzuar kultivuesit e shpezëve dhe ka premtuar përkrahje për ta.
Ndërsa Hamit Sahatqija, një kultivues me përvojë i bilbilave, i cili ishte i pranishëm në këtë panair, shprehu kënaqësinë me praninë e strukturave komunale. Ai tha se është një respekt dhe një nder i veçantë që ju është bërë.
Sahatqija, tha se me kultivimin e bilbilave merret nga fëmijëria, meqë edhe babai i tij ishte i pasionuar pas këtyre shpezëve të bukura. Kultivimi i bilbilave bëhet për kënaqësi të shpirtit dhe veshit dhe shumë më pak për biznes.
Tregoi se tash ka 25 bilbila, të cilët i mban në kafaze në shtëpi. Jam mësuar me këngën e tyre. Më është bërë pjesë e jetës dhe nuk mund të rri pa ta, tha ai, duke shtuar se për kultivimin e tyre kërkohet edhe shpenzim.