Kultivuesit e dredhëzës të kënaqur me shitjen në panair
Prishtinë, 13 qershor - Panairi i dredhëzës që po mbahet për herë të parë në Prishtinë, po rezulton të jetë mjaft fitimprurës për kultivuesit e kësaj kulture bujqësore, të cilët përveç që po i promovojnë frutat e tyre, po arrijnë të shesin edhe më shumë se sa kishin pritur.
Rezultatet e shitjes në ditën e parë të panairit të dredhëzës janë mjaft inkurajuese për këta kultivues, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë shitur rreth 1,4 ton dredhëza.
Kultivuesi i dredhëzës, Sami Doroci nga komuna e Mitrovicës, i cili është edhe përfitues i granteve investive të Ministrisë së Bujqësisë tha se efektet e para të panairit janë shumë inkurajuese për të.
Ai tha se vetëm në ditën e parë të panairit ka shitur mbi 230 ambalazhe me dredhëza, ndërsa në ditët në vijim pret që ti rritet shitja, sepse edhe interesimi i konsumatorëve është shtuar edhe më shumë sot.
Vitin e kaluar jam përkrahur nga Ministria e Bujqësisë përmes granteve investive me dy mijë euro, gjë që ka ndikuar që unë ti shtoj sipërfaqet e mbjella, tha Doroci, i cili bëri të ditur se tash i ka rreth 60 ari të mbjellë me këtë kulturë bujqësore dhe se planifikon ti shtoj edhe 20 ari, pasi që tash ka arritur të zgjerojë rrjetin e tij të shitjes.
Gjatë ditës së djeshme, 15 kultivuesit e dredhëzës që po marrin pjesë në panairin Dredhëza 2012, i cili do të jetë i hapur deri më 15 qershor 2012, kanë shitur gjithsej 1,466 kg dredhëz në vlerë prej 2,933, si dhe kanë pasur rreth 3 mijë klientë.