09 Maj 2024

Kultivuesit e dredhëzës të kënaqur me rendimentet

Prishtinë, 11 maj - ​Deklaratat e shpeshta të ekspertëve të ekonomisë se bujqësia është sektori strategjik që mund të krijojë të ardhura dhe vende të reja pune, po dëshmohen në terren. Kultivuesit e dredhëzës deklarojnë se nga kjo kulturë mund të fitohet dhe jetohet mirë.

Sezoni i dredhëzës tashmë ka filluar në Kosovë. Kultivuesit e saj janë të kënaqur me rendimentet por edhe me tregun. Që nga fillimi i muajit prill, Rexhep Spahiu nga fshati Llugaxhi, i cili ka të mbjellë 1.5 hektarë me dredhëza në serra dhe sipërfaqe të hapura, thotë se asnjëherë nuk kanë problem me shitjen e kësaj kulture bujqësore.
 
Ndërsa, Xhevdet Muhaxheri nga Manastirci i Ferizajt, i cili ka dredhëza të mbjella vetëm në fushë të hapur, thotë se brenda dy javësh do të dalin në treg, dhe presin që edhe ky sezon të kalojë mirë, sepse sipas tij pikat e shitjes i ka të sigurta dhe leverdia të merresh me dredhëz është e mirë.
 
Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, përmes postës elektronike ka bërë të ditur se në vitin 2013 kanë qenë 163 hektarë të mbjellë me dredhëz.
 
“Me një rendiment mesatar prej 7-10 tonë për hektar në fushë të hapur, në periudhën maj-qershor, kur dredhëza konsumohet si produkt i freskët, arrijnë të prodhohen rreth 1600 tonë.

Me investimet tona për ngritjen e sipërfaqeve të reja me dredhëz, të cilat sivjet mund të arrijnë deri në 100 mijë euro për një kultivues të saj, ne shtojmë mesatarisht rreth 10 hektarë të rinj në çdo vit dhe gjatë sezonit përveç që i plotësojmë nevojat konsumuese, ne kemi filluar edhe të eksportojmë në Shqipëri”, ka theksuar zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj.
 
Behramaj ka bërë të ditur se ka filluar edhe kultivimi i dredhëzës vjeshtore. Sipas tij, me finalizimin e tri qendrave të mëdha ruajtëse dhe  grumbulluese me kapacitete rajonale, do të kemi dredhëz vendore gjatë tërë vitit.

Në tregun tonë, sipas tij, kostoja e prodhimit të dredhëzës është 0.66 euro për 1 kilogram, ndërsa çmimi mesatar i shitjes për 1 kilogram sillet prej 1 deri në 1.5 euro.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)