26 Dhjetor 2024

Kultivari vendor i grurit kontribon në zhvillimin e bujqësisë

Prishtinë, 24 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim profesorin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Shukri Fetahu, i cili është bartës i inovacionit të tij shkencor në prodhimin e kultivarit vendor të grurit “Dardania 1”.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, kryeministri Mustafa tha se kjo është një e gjetur shumë e rëndësishme shkencore,  e cila e afirmon Kosovën në rajon dhe në botë, i kontribuon zhvillimit të bujqësisë, rendimenteve më të larta, por edhe shfrytëzimit më të mirë të cilësisë së tokës dhe ambientit. 

Duke e uruar profesorin Fetahu për punën shkencore, kryeministri Mustafa i ka ofruar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë edhe më tutje.

“Ju uroj shumë për këtë dhe poashtu dëshiroj të shpreh përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të mbështesë punën shkencore, sidomos në fushat, të cilat ndikojnë që të ndryshojë edhe struktura e prodhimit në vend, por të kemi edhe brendin tonë dhe të kemi markën tonë, me të cilën mund të identifikohemi edhe në Ballkan, Evropë dhe në botë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa tha se mbetet përgjegjësi por edhe vullnet i Qeverisë që ta përkrah këtë të arritur shkencore, ta bëjmë që ajo të aplikohet në Kosovë, t’i afirmojë rezultatet dhe të bëhen përpjekje maksimale.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, me këtë rast tha se profesori Fetahu ka dhënë një kontribut tepër domethënës për krijimin e një kultivari të parë autokton të grurit, duke e vlerësuar si një kontribut shkencor, i cili duhet të stimulohet dhe të ndihmohet që të transformohet në një kontribut ekonomik për zhvillimin e bujqësisë në vend. 

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me profesorin për hapat dhe fazat e ardhshme, sepse është interes i përgjithshëm, por poashtu për të gjithë hulumtuesit, të cilët do të frymëzohen nga kjo e arritur”, tha ministri Krasniqi, duke theksuar se ky zbulim shkencor është një stimulim dhe shtytje edhe për institucione për të ndihmuar edhe më shumë hulumtimet e tilla shkencore dhe profesionale në fushën e bujqësisë.

Shukri Fetahu, profesor i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë u shpreh tejet i lumtur me mbështetjen e institucioneve të Kosovës.

“Jam i nderuar, por kam edhe privilegj të rrallë që sot  të jem në këtë takim. Është vullneti i shprehur në respektim të arritjes së suksesit shkencor, por edhe promovim i vlerës së inovacionit dhe të rëndësisë që ka për vendin kultivari i parë i grurit “Dardania 1”, i cili kaloi me sukses, procedura dhe teste kombëtare dhe ndërkombëtare dhe i cili u pranua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, tha Fetahu.

Më tej profesor Fetahu shtoi se ky inovacion është meritë edhe e studentëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës të Universitetit të Prishtinës, ekipit hulumtues për punën dhe sakrificën shumëvjeçare për ta realizuar inovacionin e parë në kuadër të shkencave bujqësore në Kosovë.

Në fund të takimit, profesor Fetahu i shprehu falënderimet më të përzemërta kryeministrit Mustafa dhe shprehur besimin se në tri vitet e ardhshme do të kemi edhe “Dardania 2”.

Profesor Fetahu, në shenjë falënderimi për kryeministrin Mustafa, i dhuroi monografinë “Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës (1974-2014) 40 vjet (Monografi)”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)