Kryeministri Thaçi hap fushatën e korrjeshirjeve
Prishtinë, 11 korrik - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Blerand Stavileci, sot në fshatin Salagrazhdë të komunës së Therandës ka hapur fushatën e korrjeshirjeve. Në arën e bujkut Mark Baftija, kryeministri Thaçi simbolikisht ka korrur kallinjtë e parë të grurit, duke uruar bujqit për këtë sezon të suksesshëm.
Qeveria e Kosovës do të vazhdojë sikur deri më tani, tash edhe më tepër, në përputhshmëri edhe me angazhimet tona të Misionit të Ri, që të bëjë subvencionime edhe më të fuqishme, që të kemi bujqësi edhe më të zhvilluar, që të kemi rritje të mirëqenies të qytetarëve të Kosovës. Uroj dhe përgëzoj edhe njëherë të gjithë bujqit kosovarë për këtë sukses për sezonin e korrjeshirjeve, për sezonin e bereqetit të ri ka thënë kryeministri Thaçi.
Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci tha se prodhimtaria e grurit është një prodhimtari strategjike, e cila nga viti në vit ka shënuar edhe ngritje të sipërfaqeve, edhe përmirësim të rendimentit.
Ne si Qeveri, ashtu siç e tha edhe Kryeministri Thaçi, jemi përkujdesur që vazhdimisht të mbajmë bujqit tanë të motivuar. Edhe këtë vit ka mbështetje të drejtpërdrejt për sipërfaqe. Ndërsa, në kuadër të Misionit të Ri, ku bujqësia ka një rol prioritar, sikurse për të gjitha veprimtaritë tjera bujqësore, edhe prodhuesit dhe kultivuesit e drithërave të bardha, do të kenë pagesa më të mëdha për sipërfaqe. Pothuajse për secilin prej sektorëve dhe nënsektorëve do të ketë dyfishim të pagesave theksoi ministri Stavileci.
Bujku Mark Baftija, pronari i parcelës ky kryeministri nisi fushatën e korrje-shirjeve, falënderoi kryeministrin Thaçi për mundësitë e krijuara për bujqit.
Falënderoj kryeministrin Thaçi për të gjitha mundësitë që ka bërë, jo vetëm për mua, por për të gjithë. Unë qe dy vite jam përfitues i grantit. Këtë vit jam përfitues edhe i mekanizmit bujqësor. Prandaj, nuk kam çfarë të shtoj më shumë, vetëm ju falënderoj ka shtuar ai.